Shtojca për Kulturë

“But No But” e Driton Selmanit, “mbresëlënëse në thjeshtësinë e vet”

Skulptura “But No But (or reverse)” e Driton Selmanit – i cili bashkë me dy artistë të tjerë ka marrë çmimin “Artisti dhe vepra më e suksesshme” në Bienalen Ndërkombëtare të Artistëve të Rinj në Shkup –përsiat mbi idenë e shkërmoqjes së ndjesive shoqërore, politike e kulturore të trupëzuara që të gjitha rrotull artistit. “Mbresëlënëse në thjeshtësinë e vet, në mënyrën se si Selmani ia ka dalë mbanë t’i qëndrojë besnik konceptit të sendëzimit të gjërave jolëndore”, është vlerësimi që ia bën juria

E njëzëshme ka qenë juria e Bienales Ndërkombëtare të Artistëve të Rinj në Shkup kur ka marrë vendim që çmimin “Artisti dhe vepra më e suksesshme” ta ndajë mes tre artistëve. Kjo është hera e parë që diçka e tillë është shënuar në historinë 13-vjeçare të Bienales. Dhe në mesin e treshes fituese është edhe Driton Selmani. Sipas jurisë, skulptura “But No But (or reverse)” e artistit nga Kosova përsiat mbi idenë e shkërmoqjes së ndjesive shoqërore, politike e kulturore të trupëzuara që të gjitha rrotull artistit.

Bienalja sivjet po mbahet në katër objekte të ndryshme: në Muzeun e Shkencave Natyrore – ku u bë hapja më 19 maj – si dhe në Muzeun e Maqedonisë e në Entin Hidrometeorologjik.

Në të gjitha këto hapësira janë të ekspozuara vepra të ndryshme të artistëve pjesëmarrës të cilat do të qëndrojnë aty deri në muajin shtator. Thirrjes për aplikim i qenë përgjigjur rreth 200 artistë ndërkombëtarë, por ekipi i kuratorëve përzgjodhi vetëm 32 vepra.

Sipas vendimit të jurisë, veprat e përzgjedhura përkojnë me së miri me temën e Bienales, “Passion for Wandering” (Pasioni për bredhje) me kuratorë Artan Sadikun, Jovanka Popovën, Blagoja Varosanecin dhe Iva Dimovskin.

Siç shpjegohet në konceptin kuratorial, “ne” prodhojmë vlera që janë të konsumueshme nën trysninë e të jetuarit si subjekte të fiksuara të kapitalizmit.

Madje, gjithnjë sipas artistëve, “të harxhosh energji pa qëllim është të jetosh në shpërputhje me këtë shtysë sistematike, të mos ndjekësh kodin e logjikës së kapitalit”. Kështu, sipas përshkrimit, sorollatja bëhet diçka e rrallë, një raritet, dhe është aq pak e dukshme në kushtet e tanishme të situatës.

“Ne e duam artin i cili nuk riprodhon kuptimin e të tashmes. Ne e duam artin që bën me gisht kah ajo që, nën gjendjen e tashme të njohurive, është e pareferencueshme”.

Bashkë me Selmanin, juria e përbërë nga Iva Dimovski (historian e artit), Velimir Zernovski (artist vizuel) dhe Jane Calovski (artiste vizuele) kanë shpërblyer edhe dy artistët nga Republika e Maqedonisë Veriore: Natasha Nedelkovën për veprën “Tissues of identity” (2020) dhe Darko Aleksovskin për “Never Not in Love” (2019).

Sipas jurisë, vendimi për të shpërblyer tre artistë tregon nevojën për një përfaqësim më të gjerë të artistëve të rinj në ekspozitat muzeale.

“Nevoja për të mbështetur zhvillimin dhe përpjekjet e tyre artistike gjithashtu thekson nevojën për një fokus dhe shqyrtim më kritik dhe themelor të temave që këta artistë të rinj janë të gatshëm për të marrë përsipër dhe për t’i ndarë me publikun”, është shkruar në vendimin e jurisë. Aty, po ashtu janë përgëzuar të gjithë artistët pjesëmarrës dhe në të njëjtën kohë juria ka theksuar nivelin e lartë të veprave të prezantuara.

Sipas jurisë, Selmani e përkufizon skulpturën “But No But (or reverse)” (2019) si një rindërtim të bindjeve personale të shprehura në artefakte pamore që mbështeten në bindjen dhe dyshimet e tij.

“Kjo pjesëz është mbresëlënëse në thjeshtësinë e vet, në mënyrën se si Selmani ia ka dalë mbanë t’i qëndrojë besnik konceptit të sendëzimit të gjërave jolëndore, që është njëkohësisht efemer e monumental, i qartë e abstrakt, personal dhe social, një ndjesi që ndërkall edhe një prani dhe mungesë paralele”, është shkruar në vendim të jurisë.

Vetë Selmani ka thënë se ky çmim për të ishte befasues.

“Aq ma tepër pasi që çmimi është ndarë nga një juri shumë profesionale. Tani ne veç kemi filluar punën për ekspozitën ne MoCa (v.j. Muzeun e Artit Bashkëkohor në Maqedoni) për vitin e ardhshëm dhe jam shumë i ngazëllyer për të punuar me ekipin kuratoriale atje dhe shumë i nderuar me vlerësimin”, ka thënë ai.

Image
Artisti Driton Selmani, e përkufizon skulpturën “But No But (or reverse)” si një rindërtim të bindjeve personale të shprehura në artefakte pamore që mbështeten në bindjen dhe dyshimet e tij

Artan Sadiku, një nga kuratorët, ka thënë për KOHËN se shumica e veprave i janë përgjigjur thirrjes duke shpalosur mundësi edhe përtej kuadrit të paramenduar kuratorial.

“Një gjë që është edhe e pritshme nga artistët, por duke pasur parasysh që kjo është bienale e të rinjve, kënaqësia është akoma më e madhe. Nëse doni të shihni përmes një dritareje të vogël se si do të duket e ardhmja, duhet të shkoni të shihni Bienalet e artistëve të rinj”, ka thënë ai. Sipas tij, ata janë aktorët që përmes veprave të tyre edhe paralajmërojnë por edhe ndikojnë në formësimin e shoqërisë dhe jetës në të ardhmen.

Ka shtuar se fatkeqësisht kishin vetëm një aplikim nga Kosova.

“Dhe kjo është nivel shumë i ulët i interesimit nëse e krahasojmë me vendet tjera të rajonit nga të cilat kishim me dhjetëra aplikime. Por fatmirësisht i vetmi aplikues ishte Driton Selmani i cili u shpall edhe fitues, së bashku me Darko Aleksovskin dhe Natasha Nedelkovan”, ka thënë Sadiku.

Përveç fituesve, pjesë e Berlinales ishin edhe artistët: Stefan Ančevski, Martin Volman, Sali Ertunč, Filip Ivanovski Pepe, Metodi Iskov, Jovan Josifovski, Sonja Jo, Ana Jovanovska, Resul Kaboglu, Nikola Kekeroviḱ, Ana Lazarevska, Nikolo Masini, Julija Manojloska, Ivana Mirčevska, Ana Markovska, , Dorotej Nešovski, Mila Paniḱ, Kristina Pulejkova, Nikola Radosavljeviḱ, Dušan Stefanovski, Bojan Stojkiḱ, Milica Lazareviḱ Spirovski, Ivana Samandova, Ana Trajkovska, Adrien Ujhazi, Elena Čemerska, Mia Čuk dhe Zoran Šekerov.