Shtojca për Kulturë

Serbët – vrasës engjëllorë

Nëpërmjet një mashtrimi të madh, ata që duhet të ulen në bankën e të akuzuarve, janë ulur në bankat e prokurorëve; andaj, nacionalizmi serb, që shquhet për maskimin e tmerreve nën gunën fisnike të luftës kundër fashizmit, kulmon në revizionimin më të neveritshëm

Retorikën e Serbisë së Madhe duhet marrë gjithnjë ndryshe, duke interpretuar secilën fjali në kuptim të kundërt të manifestit; duhet të mësohemi me idenë se dhuna flet me gjuhën e paqes, dhe fanatizmi me zërin e arsyes; duhet të mësohemi se hedhja poshtë e gjenocidit po përdoret si motor i një krimi të ri kundër njerëzimit. Kurrgjë nuk e përthekon më mirë sjelljen e Serbisë së Madhe sesa fjalia që George Steineri ia atribuon Hitlerit në njërin prej librave të tij: “Do t’i zbatoni metodat e mia derisa njëherësh do të më refuzoni”.

Kështu, nëpërmjet një mashtrimi të madh, ata që duhet të ulen në bankën e të akuzuarve, janë ulur në bankat e prokurorëve; andaj, nacionalizmi serb, që shquhet për maskimin e tmerreve nën gunën fisnike të luftës kundër fashizmit, kulmon në revizionimin më të neveritshëm.

Fajësimi i viktimave

Në Beograd, lufta në Bosnjë është quajtur “lëvizje çlirimtare antigjenocid”, dhe në kampet serbe të mbajtjes (dhe shfarosjes), pengjet boshnjake dhe kroate u gjykuan për “krime të gjenocidit kundër popullit serb”, kur dihet mirëfilli se krimi i tyre i vetëm ishte pse u lindën kroatë ose boshnjakë; në Beograd gjatë vitit 1992, u botua një libër me titullin “Sarajeva, kamp përqendrimi për serbët”.

Nga mesi i gushtit 1993, kur Sarajeva kishte më shumë se një vit nën rrethim dhe 70 për qind e territorit të Bosnjës ishte nën kontrollin serb, Republika Federale e Jugosllavisë (Serbia dhe Mali i Zi) i kërkoi Gjykatës së Hagës që t’i kërkonte Qeverisë zyrtare të Sarajevës t’u jepte fund “akteve të gjenocidit kundër grupit etnik serb”. Operatorët serbë të turizmit organizuan udhëtime për Vukovar për të verifikuar “në vend” gjenocidin e kryer prej forcave “ustashe”.

Së fundi, në kulmin e mjerimit, në janarin e vitit 1992, në Qendrën Kulturore në Paris (dhe njëherësh në Beograd) planifikohej një ekspozitë me titullin: “Vukovari 1991, gjenocidi ndaj trashëgimisë kulturore serbe” (ekspozita shkaktoi zemërim të madh, dhe kurrë nuk u hap edhe në Francë).

Ndërkaq qyteti austro-hungarez plot shkëlqim i Vukovarit ishte rrafshuar prej ushtrisë serbe më 1991, dhe popullsia e saj ishte likuiduar ose shporrur, ndërkaq agresorët pretendonin pa fije turpi se ishin mbrojtësit e tij dhe se banorët e tij ishin ata që shkatërruan gjithçka rrafsh me tokë.

Ne e dimë mirë se kjo propagandë ka çorientuar kuptimin e fjalës “gjenocid”. Sidoqoftë, gjithashtu është pasuruar me dhënien e kuptimit të ri: prej tash e tutje, çdo popull që masakron ose shkatërron një tjetër, mund të krenohet me veten se vuajti prej gjenocidit.

Për shumicën e krimeve të tmerrshme të kryera prej trupave serbe, janë fajësuar viktimat e tyre: ka diçka si puna e Krishtit në këtë far mashtrimi për shpirtrat, në këtë diversion të martirëve – por është një Krisht i paturpshëm, në fakt një Antikrisht – ai që vret dhe pastaj dëshiron që pikërisht atij t’i shprehin keqardhje.

Kjo është një sqimë supreme e vetë Djallit: fajësoje viktimën për djallin që i është lëshuar atij në qafë. Prej këtij këndvështrimi, gjermanët do të justifikoheshin në pretendimin se ishin cak i një gjenocidi në Auschwitz në emër të hebrenjve dhe romëve, turqit do të mundë t’i akuzonin armenët për masakrimin e tyre më 1915, ekstremistët hutu do të mund t’i akuzonin tucit, e kështu me radhë.

Kjo është përmbytje tronditëse e së vërtetës: vrasësi është viktima e viktimës së tij, dhe nëse unë të vras, fajin e ke ti – në fakt jeni ju që më vrisni. (Një tjetër alternativë e kësaj sjelljeje: ndëshkoji viktimat dashakeqe që të detyrojnë t’i bësh martire.) Është mashtrim i dyfishtë; shtypësi përvetëson dramën e të shtypurit dhe njëherësh shlyen të gjitha gjurmët e krimit të vet.

Kulmi i vampirizmit

Andaj, mund të kënaqeni me shqetësimin që rrethon humbësin, përderisa i gëzoni të gjitha përfitimet prej të qenët fitues. (Në raste të caktuara, vampirizmi e arrin kulmin. Sipas Shoqatës së Popujve të Kërcënuar, shumë kriminelë serbë të luftës fshihen jashtë vendit pasi kanë marrë identitetin e atyre që i kanë shfarosur.) Një engjëll sipëror i mbuluar me gjak, torturuesi pastaj mund ta qajë veten me ndërgjegje të pastër, madje edhe para një grumbulli kufomash.

Natyrisht, konflikti në ish-Jugosllavi nuk zhvillohet vetëm ndërmjet regjimit të Beogradit dhe fqinjëve të tij; ai poshtëron Serbinë e hapur, liberale, pluraliste kundër një tjetër Serbie, kryesisht rurale, që është e prapambetur dhe shumë krenare me primitivizmin e saj barbar, që vjell prej përzierjes etnike, papastërtisë në Beograd dhe përgjithësisht, në shumicën e qyteteve, folur me fjalët e një ekstremisti, prej “atyre stallave derrash, ku janë lindur ata bastardë prej martesave ndëretnike”. (Kjo shkon saktësisht paralelisht me mënyrën se si nacionalistët kroatë të Hercegovinës i binin vetes në qafë kundër Mostarit, simbolit të sinkretizmit turko-sllav, ku ata kompletuan shkatërrimin pas bombardimeve serbe).

Dhe “miqtë” e Serbisë, në Francë, do të frymëzoheshin fort sa të përkrahnin fraksionin më të përndritur të popullit serb, ata që aspironin paqen dhe një Evropë të bashkuar, në vend se të mbështesnin një diktaturë gjëmëmadhe që vendit i solli marre, histeri dhe aventurë ushtarake, që mbase do të ngufatë krejt rajonin në flakë.

Helmi i urrejtjes etnike

Fundja, drama e ish-Jugosllavisë vjen për shkak se me Evropën të pazonjë të zbatonte ligjin, ligji i vrasësve u shndërrua në ligj për krejt fraksionet etnike, dhe purifikimi u shndërrua në emërues të përbashkët ndërmjet tri kampeve. Çka është e pahijshme kur flitet për luftën është bashkëfajësia e pashmangshme që valëvitet ndërmjet armiqve të cilët mendojnë se nuk kanë asgjë të përbashkët, por që përfundojnë në përngjarje të njëri-tjetrit përherë e më shumë.

Pa një traditë demokratike, pa një lider i cili do të mundë të matej me mendjen djallëzore të Milosheviqit, mjerisht të armatosur dhe të krisur prej shkuljeve ndaj lidhjeve të ngushta dhe me privilegjin e madh që e gëzonte agresorin, dhe specifikisht të braktisur prej njerëzve të cilëve iu përgjëruan për ndihmë (evropianëve dhe amerikanëve), kroatët dhe boshnjakët, secili në nivel tjetër (dhe pa mbërritur asnjëherë në përmasat e nivelit të egërsisë së trupave nga Pale dhe Beogradi), iu kthyen së pari serbëve, dhe pastaj njëri-tjetrit (gjatë luftës që u zhvillua deri në shkurtin e vitit 1994). Ishte hata që e kishin përjetuar prej agresorit të tyre të përbashkët.

Mendja gjeniale e përdreqtë e Milosheviqit ia mundësoi që t’i përçante armiqtë, duke i injektuar me helmin e urrejtjes etnike, që do ta shndërronte në njëfarë justifikimi a posteriori: “I shihni sa përbuzës (ose fanatikë) janë? Sa shumë patëm të drejtë që u ndamë prej tyre”.

Një imitim tronditës i rolit të viktimës: modeli i pushtuesit ka kontaminuar (pjesërisht) atë të të nënshtruarit, dhe konfrontimi i përgjithshëm justifikon shkakun e supozuar të ndezjes së luftës – idenë se ishte e pamundshme që dy bashkësitë të jetonin bashkërisht.

Dhe është thjesht e mrekullueshme që në Sarajevë dhe enklavat e tjera të Bosnjës (dhe në Kroaci, ku jetojnë qindra mijëra refugjatë boshnjakë), serbët, kroatët dhe myslimanët ia dolën mbanë të bashkëjetonin kaq gjatë, ia dolën të ruanin dinjitetin dhe tolerancën e tyre pavarësisht bombave, sanksioneve dhe urisë. Në këtë drejtim, pavarësisht prej çmendurisë që duket se ishte propaganduar tek të gjitha palët, fajësia e regjimit të Milosheviqit shkon përtej çdo dyshimi (megjithëse regjimi tani, nëpërmjet oportunizmit politik, predikon paqe apostolike, një Al Capone i maskuar si Mahatma Gandi).

Sidoqoftë, gjithçka shkoi në fund të pusit në luftë ose diplomaci. Serbët përfundimisht e humbën kurorën e praruar të martirizimit, të cilën ua kishte rrënjosur historia e kaluar. Dhe ja si e vrojtonte këtë lideri opozitar serb, Vuk Drashkoviq: “Në këto krime të tmerrshme të luftës, që ende po vazhdon, dhe fundi i së cilës zor se mund të parashikohet, dallimi ndërmjet librit të turpit dhe librit të dritës, është shlyer deri në pikë të fundit. Dhe kjo është disfata më e madhe serbe, disfata e vetme e popullit tonë në historinë e ekzistencës së tij”. Dhe Serbia e Milosheviqit ka jetësuar atë që e ka përmbledhur më së miri Marek Edelman: “Fitoren posthumus të Hitlerit”.

Rezistenca si krim

Gjatë gjithë konfliktit, në secilin rast, nuk është ndërmarrë asgjë (prej bashkësisë ndërkombëtare) për ata nën sulm, shkeljet e vetme të të cilëve ishin analizuar në mënyrë maniake, përderisa sulmuesit shkriheshin me duart e lira qysh prej ditës së parë. Krimi i vetëm i boshnjakëve (dhe kroatëve para tyre) në sytë e qeverive perëndimore ishte rezistenca në vend se të dorëzoheshin vetë në kasaphane, duke ua prishur hesapet kryeqyteteve të mëdha që kishin llogaritur fitore të shpejtë të Serbisë, fuqia e vetme që do të mundë të mbante rendin në Ballkan pas dezintegrimit të Jugosllavisë.

Për t’i ndëshkuar ata që ishin sulmuar (të cilët ishin edhe separatistë), përdorëm dhe shpërdorëm sofizmin fatal që sugjeron se çdo viktimë është një zuzar i ardhshëm potencial, dhe refuzuam t’i ndihmonim, sepse mund të bëheshin njerëz të ligë. Çka tjetër mund të përbëjë mashtrim më të madh për drejtësinë?

A po fundoset një fëmijë para syve tuaj? Punë e madhe, le të fundoset, ose ndryshe, më vonë do të shndërrohet në përbindësh. Pse viktimat duhet të jenë të pacene dhe pa të këqija? A paskemi harruar ne se rezistenca franceze dhe e aleatëve kishte kryer ndonjëherë krime të tmerrshme? As boshnjakët, e as kroatët, nuk janë sjellë si engjëj; por askush nuk do ta ndihmonte kurrë dikë nëse do të ngulmonim se pala e dëmtuar duhet të jetë e butë si qengji. Ne nuk e kushtëzojmë ndihmën tonë për njerëzit në rrezik varësisht se a e “meritojnë”.

Vijon në numrin e ardhshëm të shtojcës

Ky artikull – i botuar në Shtojcën për kulturë edhe në shkurt-mars të vitit 2018 – është pjesë nga kapitulli i gjashtë “Pafajësia e torturuesit: Viktima, në propagandën serbe” i librit “The Temptation of Innocence: Living in the Age of Entitlement”, botuar më 2000 në New York nga “Algora Publishing”.

Përktheu: Rexhep Maloku