Shtojca për Kulturë

“Aty ku ka vdekur një serb, atje shtrihet Serbia”

Retorika serbe nuk është marrë gjithnjë seriozisht. Është për keqardhje meqë gjithnjë e ka thënë se çfarë do të bëjë dhe gjithnjë ka bërë çfarë ka thënë. Sa më e krisur që dukej në veshët tanë të perëndimorëve, aq më shumë është dashur t’ia vinim veshin. Këto fjalë janë përdorur si doktrina të Shtetit. Këto fjalë ishin armë, këto fjalë kanë vrarë

Vetitë e viktimës, njashtu sikurse ato të torturuesit, barten nga babai te i biri: fashizmi është sëmundje ngjitëse, gjenet e tij barten prej një brezi në tjetrin. Është tipar joimun i mishëruar në një popull, dhe historia nuk mund ta modifikojë pavarësisht se çfarë ndodh.

Kjo propagandë ka një aspekt patologjik dhe farsë, që do të ishte temë e mirë për psikoanalizë nëse zgjedha nuk ka gjeneruar drejtpërdrejt terrorizëm. Meqë oscilon ndërmjet arrogancës së pastër dhe mashtrimit moral, retorika serbe nuk është marrë gjithnjë seriozisht, dhe se është për keqardhje meqë gjithnjë e ka thënë se çfarë do të bëjë dhe gjithnjë ka bërë çfarë ka thënë.

Djallëzimi i serbëve

Sa më e krisur që dukej në veshët tanë të perëndimorëve, aq më shumë është dashur t’ia vinim veshin. Këto fjalë janë përdorur si doktrina të Shtetit. Ato jo vetëm që kanë hedhur farat e zemërimit në kokat e njerëzve, por edhe e kanë kallur barutin. Këto fjalë ishin armë, këto fjalë kanë vrarë.

Andaj, nuk është se bota i djallëzoi serbët, janë serbët që nisën me djallëzimin e të gjithë fqinjëve të tyre dhe gradualisht krejt botës (hiq disa vende mike, si Greqia, Rusia dhe Rumania) duke shpikur një komplot kundër vetvetes, një komplot të ndërlikuar që përfshin (më fal që lista është shumë e shkurtër) islamin, Vatikanin, Kominternin, “Rajhun e Katërt” të Gjermanisë, masonët e lirë dhe shumë shërbime sekrete perëndimore.

Dhe cilat janë mashtrimet e përhershme paranojake? Shkojnë krah për krah me megalomaninë, duke ia mundësuar ta fryjë vendin e vet të vogël në përmasa planetare. Se serbët dëshiruakan të jenë “popull qiellor”, që mund të kallë luftëra botërore dhe se qenkan të bindur se janë cak i një aversioni planetar që nxit krejt njerëzimin t’u vërsulen atyre. “Krejt bota është angazhuar për djallëzimin e popullit serb, fenomen i pashembullt në historinë e civilizimeve. Komploti kundër serbëve është mbi të gjitha komplot kundër të vërtetës: ... ndërgjegjes së njerëzimit ... si dhe fati i botës është i lidhur me problemin serb”. Të prekur prej iluzionit të madhështisë, këta nacionalistë (ku përfshihen edhe burra me nam dhe të shkolluar, profesorë dhe shkencëtarë), shkrihen me mendimin e përhershëm të konspiracionit që ua mundëson të mendojnë se janë alamet të rëndësishëm.

“Nëse krejt bota është në luftë me Serbinë, atëherë një kataklizëm botëror, një vërshim i madh do ta fundosë botën në tërësi, përjashto Serbinë e Madhe”.

Kjo fantazi e të qenët të rrethuar prej një “konspiracioni islamist-vatikanist-hitlerian”, kjo vetëbindje e “urrejtjes së tmerrshme kundër serbëve ... që na bën ne, serbëve të diasporës, të mallkuarit e vërtetë”, këto “rituale përbindëshe antiserbe” që janë pjesë e një “simfonie të pabesueshme të djallit” (Komnen Beqiroviq), duke ushqyer kështu një Serbi manikeiste radikale, ka mbetur fikall e vetme, kundër krejt universit!

Poshtërimi i tjetrit

Duke përkulur grupet etnike të cilave synon t’iu shpallë luftë, duke dedramatizuar ekzilin a vdekjen e tyre, përpiqet të mbulojë zhdukjen e tyre si gabim të parëndësishëm të historisë. Ky pranim duhet të shoqërohet me poshtërim total të tjetrit me qëllim që ta ekzaltojë dhe lartësojë veten në kurriz të tjetrit.

Sa më monstruoz që të jetë krimi i planifikuar, aq më monstruoze duhet të duket e ardhmja e viktimës; krimet e viktimës në fakt janë të parashikueshme. Viktima i paralajmëron krimet duke pretenduar se të njëjtat do të kryhen kundër saj.

Dhe bash si e djathta ekstreme që gjithnjë ia atribuonte një fuqi supernjerëzore Internacionales Hebraike – aspiratën për sundimin e botës – edhe ekstremistët serbë ua atribuojnë armiqve të tyre qëllimet më të zeza dhe fantazinë e fuqisë absolute që e bën urgjente shfarosjen e tyre (ndërkaq, në terren, lidhja e forcave gjithnjë ka qenë në favor të serbëve, të cilët janë mjeshtër të artilerisë dhe fuçisë së barutit).

Akuza ngarkuar tjetrit është motori i sulmit që dikush mundohet ta ndërmarrë vetë. Duke ngritur dyshimin kundër tjetrit për spastrim etnik, thjesht nënkupton pranim dhe përshpejtim të planit që planifikoni ta jetësoni kundër tij.

Andaj krejt çfarë i mbetet të bëjë është të sulmojë të ardhmen e tjetrit me akuza të cilat në fakt më vonë do të fajësohet vetë. (Ishte edhe më e dhimbshme të dëgjoje tonin e shpifjes së paraqitur në mediat perëndimore, ta zëmë me barazimet e “kroatit me ustashin”, “boshnjakëve me fundamentalistët”, për ta parë se kjo propagandë po lulëzonte nën penat e shkrimtarëve që supozohet se janë të mirinformuar).

Për pasojë, agresioni mund ta veshë veten me uniformën e çiltërsisë: si një komb i engjëjve shfajëson veten deri në fund të botës prej mundimeve të tij të kaluara, serbët kurrë nuk sulmojnë, vetëm mbrojnë veten. Janë të drejtë, madje edhe kur vrasin; mbrohen prej pafajësisë së papërshkueshme dhe absolute, larg më të lartë se veprat e liga që mund t’i kenë bërë.

Nëse ata vazhdojnë të tregohen mospërfillës ndaj keqardhjes dhe brejtjes së ndërgjegjes, kjo ndodh për shkak se nuk ishin ata të cilët masakruan, ata vetëm se me të drejtë kanë shkelur disa insekte të dëmshme, qelbanikë që vetëm nga pamja duken njerëzorë. Dhe një veteran i Luftës së Dytë Botërore erdhi për ta mirëpritur Zhirinovskyn në Bjelina në Bosnjë në shkurtin e vitit 1994, duke iu drejtuar një gazetari amerikan: “shqiptarët, kroatët dhe myslimanët, dhe kushdo i sojit të tyre, nuk meritojnë të jetojnë”.

“Ky sinqeritet tragjik i vrasësit” (Gaston Bouthoul) e shtyn atë të dehumanizojë armikun e tij me qëllim që ta eliminojë me ndërgjegje të pastër dhe të mos ndihet asnjë trohë fajtor (me përjashtimin e dukshëm të opozitës demokratike serbe që kërkoi publikisht falje për shkatërrimin e Vukovarit, Sarajevës dhe Dubrovnikut, dhe për rrethimin e enklavave boshnjake).

Ky soj vrasësi e ka mendjen top se po vepron në kuadër të të drejtave të veta me kujtimin e vazhdueshëm të së kaluarës. Andaj në fund të viteve ‘80, kleri ortodoks dhe njerëzit me pushtet të vërtetë publik i rrahën daullet e luftës dhe shkuan aq larg sa t’i zhvarrosnin edhe eshtrat nga Lufta e Dytë Botërore, me qëllim të fryrjes së flakëve të zjarrit të hakmarrjes.

“Do t’i zhvarrosim eshtrat e martirëve tanë dhe do t’ua dedikojmë një vend të merituar. Eshtrat duhet të prehen më afër parajsës, meqë populli serb gjithnjë ka qenë populli i parajsës dhe populli i vdekjes”, shkruante doktor Rashkoviq në fund të viteve ‘80.

Propaganda funerale

Dhe kjo ushtri e pafund e të vdekurve ishte vërsulur në sulm kundër të gjallëve me qëllim që të lante me gjak të gjitha fyerjet e përjetuara. Kjo është propagandë funerale, adhurim i varrezave masive dhe skeleteve, njëfarë nekrofilie pothuajse e maskuar që i jep kuptim të ri sloganit tashmë të njohur: “Aty ku ka vdekur një serb, atje shtrihet Serbia”.

Në mesazhin e tij ambicioz gjatë pashkëve në marsin e vitit 1991, u përpoq “të ringjallte shpirtin e vëllazërisë dhe vëllazërimin në lutje me viktimat tona, të vdekurit e pafajshëm të shenjtë... gjatë pesëdhjetë vjetëve të fundit”, citonte patriarku Pavle i Beogradit “Kryepeshkopin e Madh Nikolajn e kujtimit të lumtur”, duke theksuar se “nëse serbët do të merrnin hak për në proporcion me të gjitha krimet që janë kryer ndaj tyre gjatë këtij shekulli, çfarë do të duhej të bënin? Do të duhej të varrosnin burra për së gjalli, t’i hidhnin të gjallët në zjarr, t’i rrjepin për së gjalli, të copëtonin fëmijët në sytë e prindërve. Serbët kurrë nuk kanë vepruar kështu, madje as ndaj bishave të egra e lëre më ndaj krijesave njerëzore”.

Tani, ajo çfarë është mahnitëse në këtë tekst është se përshkruan saktësisht krimet që trupat serbe do t’i kryenin nga qershori 1991 e tutje, me të krisur lufta. Nëse tragjedia, siç thotë Claudeli, është “është kujë e madhe para një varri që nuk është mbyllur mirë”, atëherë krejt territori serb, ujitur me sakrificën e martirëve, gulçon për hakmarrje. Rrënjët e këtij nacionalizmi tribal janë larë, folur me të njëjtën gjuhë, në gjakun e të pafajshmëve që vdiqën për atdheun për më shumë se shtatë shekuj. Dhe kjo tokë na qenka e shenjtë, “sepse është një varrezë e madhe e mbushur me ata që vdiqën pa gurë varresh”.

Kjo është arsyeja pse ushtarët serbë kanë mësyrë frontin qysh prej qershorit 1991, duke marrë krah që të flasin me ata që vdiqën më 1914-18 dhe 1941-1945, të shoqëruar prej krejt atyre që janë martirizuar gjatë shekujve të mëhershëm, me qëllim që të kryejnë punën e pakryer dhe për ta shndërruar një milenium fyerjesh në orgji të vrasjes shpenguese. Ky procesion pafundësisht i zymtë u shoqërua me lutje të kryepeshkopëve dhe këngë të krijuesve të baladave.

Se këta vrasës janë edhe poetë e tregon edhe Karaxhiqi, i cili vetë e ngacmon Muzën në orët e tij idilike; dhe në këtë konflikt, krimi vjen në krahët e poezisë epike, dhe reptilët më të këqij janë të zotë ndërmjet dy masakrave, të thurin një strofë modeste plot me terrinë dhe vrer.

Milan Kundera kishte identifikuar një shembull të mirë të kësaj aleance të lirikës dhe krimit nën stalinizëm, sepse “kjo luftë u nxit, u përgatit dhe u ndërmor prej shkrimtarëve dhe u krye prej dorës së shkrimtarëve” (Marko Vesoviq).

Fundja, kjo mësymje mbrojtëse shpjegon natyrën neveritëse të këtij konflikti, në të cilin së paku në fillim, një ushtri profesionistësh u konfrontua me civilë të paarmatosur, me fushata të prerjes së kokave, torturimit, gjymtimit dhe vrasjes së të burgosurve dhe akteve të panumërta të sadizmit të faktuar hollësisht gjerë e gjatë në raportet e Kombeve të Bashkuara, ky vullnet për ta shfarosur tjetrin, për ta hequr nga faqja e dheut edhe kujtimin e ekzistencës së tij.

Sa për informacion, duhet të dihet se lideri i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, ish-psikiatër, po punonte para luftës me pacientët e tij në Sarajevë mbi fantazinë e prerjes së trupit në dy pjesë – gjë që beson se është e pranishme te krejt burrat.

Në versionin e tij benin, viktimizimi është formë paradoksale e snobizmit. Në versionin e tij të krisur, është mohim aktiv i konceptit të njerëzimit, thirrje e hapur për vrasje.

Komplote me shumicë

Duke mbrojtur ligjin e vitit 1993 që i detyron qytetarët grekë të theksojnë religjionin e tyre në letërnjoftime, zëdhënësi i Sinodit të Shenjtë akuzon “lobin hebraik amerikan” se po mundohet të shkatërrojë unitetin kombëtar helen me kontestimin e këtij ligji (i cili është më shumë se i mirëseardhur për Kishën Ortodokse)

Kur filmi i tij “Do the Right Thing” për pak s’e fitoi Palmën e Artë në Cannes më 1990, regjisori afro-amerikan, Spike Lee, fajin e dështimit ia la racizmit të bardhë. Kreu i komisionit juridik dhe politik të GIA-s (Grupi i Armatosur Islamik), një prej lëvizjeve kryesore terroriste në Algjeri, Saif Allah Jaafar, shpjegon: “Ne i sulmojmë hebrenjtë, të krishterët, të pafetë, sepse ata janë ithtarë të komplotit kolonialist jofetar. Ata janë simbole të gjalla të pushtimit të Algjerisë, si dhe të vendeve të tjera islamike; në tokën e islamit, këta të huaj janë vetëm spiunë të pafe”.

Zviad Gamsakhurdia, presidenti i fundit i Gjeorgjisë, për rrëzimin e tij nga pushteti fajësoi një komplot transnacional që kontrollohej diku në Washington, që po mundohej të shtrinte dorën sunduese anembanë botës: “Skenari i grusht shtetit të përhershëm në Gjeorgji tashmë është provuar më shumë se një herë në pjesët e tjera të botës... Krejt kjo na ndodhi për shkak se nuk deshëm të ishim subjekt i diktatit të shteteve perëndimore... dhe të bëheshim koloni. Vetëm një pushtet servil është i përshtatshëm për Perëndimin. Kjo është një prej arsyeve për grusht shtetin ushtarak që solli në pushtet figurën e Shevardnadzes, i cili është agjent i CIA-s, agjent i drejtpërdrejtë i imperializmit euro-amerikan”.

Leonard Jeffries, drejtor i Departamentit të studimeve të çështjeve të lidhura me qytetarët afro-amerikanë në Kolegjin e Qytetit të Universitetit Shtetëror të New Yorkut, shpjegon skllavërinë prej së cilës vuajti populli i tij, me këto fjalë në majin e vitit 1991: “Hebrenjtë janë krerët kryesorë të tregtisë me skllevër, dhe ishin ata financuesit e saj. Ata janë krerët e një konspiracioni të planifikuar dhe të organizuar nga Hollywoodi me qëllim të shkatërrimit të Zezakëve”.

Më 2 gusht 1994, në kohën kur liria italiane kishte marrë teposhtën e madhe, ministri për Punë, Clemente Mastella, anëtar i Aleancës Kombëtare (të së djathtës ekstreme, fajësoi “lobin hebraik ndërkombëtar”, në të cilin dyshon se mund t’i duan neofashistët e rinj italianë. Prapë, gjatë verës së vitit 1994, revista e përdyjavshme islamike egjiptiane, “El Chaab”, denonconte Konferencën e OKB-së për Zhvillimin e Popullsinë, që do t’ua bënte qejfin në shtator përpjekjeve amerikane dhe evropiane për imponimin e “libertinizmit dhe abortit” dhe për “t’i shfarosur popujt e shtypur, përfshirë myslimanët, por ka nxitur gjakderdhje”.

Ivan Czurka, lider i së djathtës populiste dhe nacionalist i regjur, thekson ekzistimin e një komploti kozmopolitan “kundër ekonomisë hungareze”, si arsye pse mbështetësit ndërkombëtarë vazhdojnë t’u japin hise ish-komunistëve, të cilët ende kontrollojnë një pjesë të aparatit të Shtetit. Është çartur pse hebrenjtë kanë zënë disa prej pozitave të rëndësishme në Nomenklaturën e vjetër.

Për Alexander Zinovievin, ish-disident që favorizon restaurimin e komunizmit në Rusi, Perëndimi ishte aty për të shkaktuar rënien e vendit të tij, duke paguar Yeltsinin dhe Gorbachevin për shkatërrimin e sovjetizmit dhe për të shtypur Rusinë e Shenjtë. “Ata përfaqësojnë kolonën e pestë të Perëndimit, që i bleu ideologjikisht për t’i hequr qafe një herë e përgjithmonë dhe bashkë me Rusinë”.

Tema e komplotit është garanci në shpjegimin e të gjitha ngjarjeve si jetësim i veprimit të forcave të mistershme. Por emërtimi i Satanit të Madh mund të funksionojë në dy mënyra: ose është formë e dorëzimit (çka ia vlen të luftohet kur një inteligjencë më e lartë po i komandon qëllimet skëterrë kundër nesh?), ose identifikon një kurban, një armik i cili duhet të shkatërrohet për të rikthyer harmoninë e humbur (qysh vepron sot Serbia ose Algjeria). Nocioni i një konspiracioni është i pakundërshtueshëm, meqë çdo argument kundër tij, mund të përdoret si provë e pushtetit depërtues të korrupsionit të konspiratorëve. (Dhe, si thotë paranojaku, “është faji im pse gjithnjë kam të drejtë?”). Ideja e konspiracionit injekton ata të cilët mendojnë se janë cak i tij kundër dhimbjes nga kritikat, nga kontestimi. Dhe pastaj, u ofron atyre ngushëllim suprem: i bën të ndihen se janë mjaftueshëm të rëndësishëm për dikë, diku mbi faqe të dheut, sa të përpiqet t’i shkatërrojë. Dhe konspiracioni më i keq është ai i indiferencës: Sa prej nesh do ta shpëtonim idenë se ne nuk japim mjaftueshëm dashuri ose urrejtje për të justifikuar të ligën më të vogël prej dikujt tjetër?

Vijon në numrin e ardhshëm të shtojcës

Ky artikull – i botuar në Shtojcën për kulturë edhe në shkurt-mars të vitit 2018 – është pjesë nga kapitulli i gjashtë “Pafajësia e torturuesit: Viktima, në propagandën serbe” i librit “The Temptation of Innocence: Living in the Age of Entitlement”, botuar më 2000 në New York nga “Algora Publishing”.

Përktheu: Rexhep Maloku