Shtojca për Kulturë

Përplasjet për restaurimin e “Notre Dameit”

Dy vjet pas zjarrit shkretues në katedralen e “Notre Dame” në Paris, planet për rindërtim po përftojnë përplasje, teksa drunjtë shekullorë të ahut po priten

Pavarësisht protestave të nxitura mbi planet për restaurimin e katedrales së “Notre Dameit” në Paris, ceremonia e fundit e prerjes së druve për rindërtimin e katedrales ka qenë bukur solemne.

Për ngjarjen në fillim të marsit, ministrja e Bujqësisë, Julien Denormandie, dhe ajo e Kulturës, Roselyne Bachelot, udhëtuan për në pyllin e Bercés, 200 kilometra në jugperëndim të Parisit. Të shoqëruara nga një numër gazetarësh, ato bënë shenja në drunjtë e ahut që do të priteshin.

Rreth 2 mijë drurë të tillë do të përdoren për rindërtimin e kuadrit dhe pirgut të çatisë së katedrales.

“Unë mendoj se ‘Notre Dame’ si simbol i së kaluarës sonë tregon se në çfarë shkalle pyjet tona kanë shkruar rregullisht historinë”, deklaroi Denormandie.

E ministrja Bachelot shtoi: “Ne kemi nevojë për këtë dru, meqë kemi vendosur për të rindërtuar katedralen ashtu siç ka qenë para zjarrit”, që i bie ashtu siç ishte përfytyruar nga arkitekti Eugene Viollet-Le Duc më 1843.

Megjithëkëtë, premtimi për të rindërtuar monumentin brenda pesë vjetësh duket gjithnjë e më shumë jorealist.

Zjarri shkaktoi tronditje gjithandej botës

Dy vjet më parë, zjarri bëri që pirgu i ”Notre Dameit” të shembej e të shkatërronte çatinë e katedrales duke e tronditur Francën e gjithë botën. Për ditë me radhë ekipe televizive nga mbarë bota transmetuan drejtpërdrejt nga monumenti i përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Presidenti Emmanuel Macron kishte premtuar asokohe rindërtimin e “Notre Dameit” brenda pesë vjetësh. Ai në fillim e konsideroi ridizajnimin e pirgut në një mënyrë bashkëkohore – por në fund çështjen ua kaloi ekspertëve për ta rikonstruktuar sipas planeve fillestare të Viollet-le-Ducit.

Fill pas zjarrit, dhurues nga gjithë bota mblodhën thuajse 1 miliard euro për të financuar rikonstruktimin. Deri më tani, 833 milionë euro që vijnë nga 340 mijë kontribues nga 150 shtete janë mbledhur që prej atëherë, bën me dije trupi administrativ i Katedrales.

Drunjtë “pjesë e skemës së rregullt të prerjes”

Gjysma e aheve që janë të nevojshëm për rikonstruktimin e ndërtesës do të vijnë prej pyjeve publike, kurse gjysma tjetër nga ata privatë, që të gjithë brenda Francës. Drunjtë do të lihen të thahen për 12 deri në 18 muaj ashtu që të pakësohet niveli i lagështisë.

Drunjtë shekullorë do të priteshin në çfarëdo rasti, sipas Guillaume Larriere, zëdhënës në ONF, agjenci publike që menaxhon me pyjet e Francës. “Ne rregullisht, presin drurë të vjetër e të mëdhenj – që t’i ofrojmë tregut dru, por edhe për të bërë vend për drurë të rinj, që kanë nevojë për më shumë dritë”, ka thënë ai për DW.

Ai ka shtuar se Franca ka një prej udhëzuesve më të rreptë në botë sa u përket pyjeve.

“Ishte vendimi i duhur për të mbledhur gjithë atë dru në pyjet e Francës – në këtë mënyrë ne kemi transparencë të plotë si do të priten”, ka thënë ai.

Grupi mjedisor kundërshton planet e rindërtimit

Jacky Bonnemains, drejtor i grupit mjedisor “Robin des Bois”, nuk pajtohet.

“Ne po i cungojmë pyjet e po ua shkëpusim ahet që janë krucialë për përtëritjen e pyjeve, meqë janë habitat për shumë insekte e zogj”, ka thënë ai.

Bonnemains e quan vendimin për rindërtimin e “Notre Dameit” sipas planeve të Viollet-Le Ducit si “anakronik”.

“Kurrë nuk do ta kisha menduar që ata sërish do të zgjedhin dyshen skëterrore të drurit dhe plumbit, që e bëri të mundur zjarrin dhe shkaktoi ndotje të ndjeshme”, ka shtuar ai.

Instituti publik për mjedisin industrial dhe ndotjen “Ineris” në të vërtetë ka konstatuar që hapësira e “Notre Dameit” dhe disa nga vendet përreth është e ndotur keqazi prej plumbit pas zjarrit.

Më 2019, Robin des Bois ka paditur autoritetet për rrezikim të jetës njerëzore duke dështuar të marrin masa të menjëhershme për të kufizuar rrezatimin e popullatës ndaj plumbit toksik të liruar nga djegia e Katedrales. Por rasti ishte hedhur poshtë muaj më vonë.

Për mjedisorët, lëndë të tjera ndërtimore do të ishin më bashkëkohore e më të sigurta: “Katedralja e Shën Pierrit dhe Shën Paulit në Nantes, fjala vjen, kanë një kuadër çatie të bërë nga betoni – një zjarr që ra gjatë vitit të kaluar shkaktoi dëme tepër të kufizuara”.

Gërshetimi i drurit dhe i plumbit “zgjidhje ideale”

Por betoni nuk është një zgjidhje për “Notre Dame de Paris”, ka thënë zëdhënësi i Katedrales për DW.

“Strukturës së çatisë së monumentit i duhet një peshë mjaft specifike që ngrehina të jetë e qëndrueshme – një gërshetim i drurit dhe plumbit është një përzierje ideale”, ka thënë ai, duke shtuar se autoritetet po i merrnin seriozisht konsideratat e mundshme shëndetësore.

“Dhe druri e struktura e plumbtë nuk ishin problem – zjarri filloi për shkak të gabimit njerëzor. Ne thjesht kemi nevojë për më shumë personel të sigurisë në pikat kyç. Dhe dizajni i ardhshëm do të përfshijë edhe dyer mbrojtëse për zjarr”, ka thënë ai.

Sipas zëdhënësit, druri – dhe vonesat e tij – është përshtatur tamam sipas planit për rikonstruktim. Punimet për të siguruar ndërtesën do të shkojnë deri në korrik, me tenderë publikë që do të nismohen gjatë verës. Punimet për rindërtim do të fillojnë në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.

“Kjo është sesi ‘Notre Dame’, sipas dëshirës së presidentit, do të rihapet për meshë më 2024”, ka thënë ai.

Por të tjerë vëzhgues dyshojnë që rikonstruktimi i monumentit do të përfundojë gjer atëherë.

“Sigurimi i monumentit ka marrë goxha kohë dhe ne me gjasë do të vazhdojmë punime të caktuara restaurimi si për shembull për mbështetëse jashtë pas 2024-s”, ka thënë Yann de Carne. Ai është në krye të asociacionit industrial GMH, që përfaqëson 80 për qind të ndërmarrjeve të vendit që kryejnë punime restaurimi në monumentet kombëtare.

“Sidoqoftë, hapja e ndërtesës për shërbime kishtare apo pjesë të saj për vizitorë do të jenë të mundura brenda tre vjetësh”, ka shtuar ai.

Procedura gjyqësore do të rinisë

Bonnemains është më pak optimist.

“Rindërtimi i ‘Notre Dame’ do të marrë edhe më shumë vjet – kjo do të na jep kohë për të sfiduar mënyrën sesi po duan ta bëjnë këtë gjë”, ka theksuar ai.

Grupi tash po e rinis padinë e vet për ndotje plumbi, teksa argumentet që ngrenë krye në rastin e tyre më 2019 tregojnë se çështjet shëndetësore mbeten relevante.

Marrë nga “Deutsche Welle”. Përktheu: Salih Mehmeti