Shtojca për Kulturë

Urbanizmi kaotik i Prishtinës

Se çka po ndodh në urbanizëm me tenderë më të “lirë“, po shihet në tërë Kosovën. Qyteti i Prishtinës po rritet e zgjerohet për çdo ditë, bile një pjesë e saj është quajtur “Prishtina e re“. Nuk e di sa është adekuate kjo? Kur flitet për diçka të re, gjithnjë mendohet në koncept të ri (në këtë rast) urbanistik që ka vlera bashkëkohore e humane. Situata në terren është shumë më ndryshe

 

Ka shumë kohë që Kosovën dhe Prishtinën i ka kapluar tenderomania. Konkurrimi (ose siç po quhet sot tenderi) pa dyshim nuk është diçka e keqe. Aplikohet në çdo vend ku lipset kualitet, por te ne mendoj se është shndërruar në instrument të së keqes. Besoj se nuk kam gabuar për këtë konstatim. Mendoj se kjo bindje ekziston edhe te publiku i gjerë.

Se çka po ndodh në urbanizëm me tenderë më të “lirë“ po shihet në tërë Kosovën. Po ndalem vetëm në disa lagje të Prishtinës.

Lagjja “Tophane“ në aspektin urbanistik është si shumë të tjera, pra edhe këtu zotëron kaosi urban. As nuk paraqet lagje të re e as lagje të vjetër. Nuk e di si mund ta quajmë. Janë ndërtuar shumë objekte me etazhitet (kate) të lartë, ndërsa mungojnë rrugët dhe hapësirat e tjera të lira për banorë, sidomos për fëmijë. Mungojnë parkingjet, gjelbërimi, e të tjera, dhe s’ia vlen të zgjatemi më shumë.

Lagjja “Parku“ nuk dallon shumë nga kjo e para. Edhe këtu urbanizmi dhe infrastruktura janë të çuditshme, për të mos thënë “primitive“. Këtu automjeti i zjarrfikësve e ka shumë vështirë të kalojë pa pengesa, natyrisht në rast urgjence. Ndihma e parë (automjeti i saj) po ashtu për ta shpëtuar pacientin vështirë mund të depërtojë në rrugë të ngushta e më automjete të parkuara vend e pavend. Ky nuk mund të quhet urbanizëm. Edhe në këtë lagje siguria e banesave është shumë e vogël, pasi ata që e kanë projektuar dhe ata që e kanë miratuar, shumë pak janë marrë me këtë problem vital.

Natyrisht, profiti i atyre që e kanë ndërtuar dhe e projektueseve “tregtarë“ besoj se nuk ka munguar. Fajtori kryesor është te ata që marrin këso vendimesh dhe që kanë kompetenca ligjore.

Lagjja tjetër me dështime serioze sidomos nga aspekti i sigurisë për jetën e njeriut, pa dyshim është “Arbëria“ (ish-Dragodani). Këtu mendoj në pjesën e re të realizuar pas luftës. Kjo lagje ka objekte shumëkatëshe të planifikuara dhe të realizuara në terren shumë të rrezikshëm nga pikëpamja gjeologjike (sipas ekspertëve dhe konstatimeve të tyre). Siç, dihet, disa rrugë janë plasaritur e disa të tjera kanë rrëshqitur dhe pjesërisht janë shembur. Uroj që kjo të mos ndodhë edhe me objektet ku jetojnë me qindra banorë.

Qyteti i Prishtinës po rritet e po zgjerohet për çdo ditë, bile një pjesë e saj është quajtur “Prishtina e re“. Nuk e di sa është adekuate kjo? Kur flitet për diçka të re, gjithnjë mendohet në koncept të ri (në këtë rast) urbanistik që ka vlera bashkëkohore e humane. Situata në terren është shumë më ndryshe. “Prishtinë e re“ nuk mund të quhet hapësira e një pjese të re të qytetit momentalisht me vetëm Pallatin e Drejtësisë e me disa objekte të tjera të reja.

Kur kalon në këtë pjesë sheh shumë shtëpi individuale për banim, të ndërtuara sipas mundësive materiale të qytetarëve, ku nuk ka kurrfarë rregulli urban, arkitektonik dhe infrastrukturor! Nëse e shikon nga lart (për shembull nga objekti i “Gorenjes”) gjendjen reale, vështirë mund të thuhet se realizimi i “Prishtinës së re“ është i lehtë dhe pa probleme. Pse? Sepse e gjithë hapësira është atakuar dhe mbushur me shumë objekte të ndryshme, të cilat objektivisht paraqesin vështirësi reale në planifikimin dhe realizimin urban.

Dukuri me shumë degradime urbane kemi edhe në shumë lagje të tjera të Prishtinës. Vetëm po i përmend disa prej tyre: lagjja “Pejton” , lagjja “Kalabria“, lagjja “Mati”, e të tjera.

Dikush mund të thotë: “Ky arkitekt veç po kritikon“. Është shumë e vërtetë – pajtohem. Po, jam shumë i bindur dhe besoj se të gjitha kritikat e mia i mbështes në fakte dhe argumente që lehtë mund të konstatohen. Jam i vetëdijshëm se më lehtë është të lavdërohet sesa të kritikohet, por mjerisht të gjithë duhet pranuar se ky është realiteti ynë jo vetëm në Prishtinë, por edhe në shumë qytete e vendbanime të Kosovës. Për këtë realitet shumë të keq në shumë mjedise nuk mund dhe nuk duhet të amnistohet askush.

Po e përfundoj me një thënie të gjeniut Albert Einstein: “Kurrë nuk mund ta zgjidhësh problemin me atë mentalitet që e ka krijuar atë“. Shpresoj dhe besoj se duhet gjetur forcë dhe mënyrë për ta tejkaluar këtë situatë.

Autori është arkitekt