Showbiz

Dalin në shitje biletat e Sunny Hill Festival

Sunny Hill Festival po vjen më 10, 11 dhe 12 gusht në Parkun e Gërmisë, dhe shitja e biletave ka nisur sot, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Në mesin e 30 artistëve performues do të jetë edhe Dua Lipa, Action Bronson, DJ #1 në botë për momentin, Stanaj, SG Lewis, Col3trane, Grace Carter, Bondax dhe shumë artistë tjerë të famshëm shqiptarë.

“Prej sot, biletat e para janë në shitje online. Për t’i blerë biletat, vizitoni www.sunnyhillfestival.com dhe klikoni mbi butonin Buy Tickets. Prej të hënës, biletat e festivalit do të jenë në shitje edhe në pika fizike, përkatësisht në Rave Travel dhe mbi 40 pikat e rrjetit të Vllesa / RIA, në tërë Kosovën”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Edicioni i parë i Sunny Hill Festival do të vijë me artistë të shumtë, në mesin e të cilëve janë edhe Ledri Vula, MC Kresha, Lyrical Son, Dafina Zeqiri, Gjiko, Lumi B, Buta, Kidda, ODA, Jericho, Gamblemania, Asgjë Sikur Dielli, Genc Salihu, Shpat Deda, Dren Abazi dhe Zig Zag Orchestra, Gon & Sonik, Rrrron dhe Ylli Megi.

Pritjet janë që këtë vit, Sunny Hill Festival të tërheq mijëra turistë dhe vizitorë të huaj në Kosovë, si dhe të jetë ngjarja kryesore e kulturës për të rinjtë në Kosovë.

Festivali ka gjithashtu karakter humanitar, sepse 25 për qind e të hyrave neto që mbesin nga festivali do t’i dhurohen organizatave kosovare që kujdesen për zhvillimin e fëmijëve kosovarë, posaçërisht atyre me nevoja të veçanta.