Showbiz

Nita Bajrami në histori, Kosova në “Top Model Worldwide”

Nita Bajrami e ka dashur gjithmonë modën. Si e vogël, asaj i pëlqente të luante me veshje të ndryshme, duke veshur taka të larta të nënës dhe duke vjedhur buzëkuqin e saj.

Modelizmi ishte diçka që ajo gjithmonë mendonte ta bënte, edhe përkundër faktit se industria e modës ishte “një botë tjetër”, si thotë edhe vetë ajo. Më pas, vetëm pak muaj më parë, Nita konkurroi në konkursin “Top Model Ireland”, që njëkohësisht ishte paraqitja e parë e saj.

Bajrami më pas u informua se ishte një nga tri garueset e përzgjedhura për pjesëmarrje në “Top Model Worldwide”, konkurs ky i cili mbahet në “Hilton London Metropole Hotel” dhe do të zhvillohet më 6 dhe 7 prill të këtij viti.

Por, edhe më i rëndësishëm për bukuroshen Bajrami është fakti se ajo do ta përfaqësojë Kosovën në këtë ngjarje.

Nita është mjaft e kërkuar nga kompanitë dhe fotografët në këtë biznes, për të qenë pjesë e projekteve dhe fotosesioneve të ndryshme. Për Express të KTV-së, ajo gjithashtu tregon se kur ka filluar të merret me modelizëm dhe cilat janë planet e saj në vazhdim.

Përveç modës, Nita Bajrami, është po ashtu adhuruese e madhe e grimit dhe kujdesit ndaj lëkurës.

Nita ka menduar të jetë më profesioniste në këtë drejtim, duke ndjekur studime të mëtutjeshme për dermatologji. Mbase përveç suksesit të deritanishëm të Nitës në fushën e modës, atë mund ta shohim edhe si dermatologe të suksesshme në të ardhmen.