“On Records” kërkon 1.5 milion euro nga Mozzik dhe Getinjo, flasin reperët

“On Records” kërkon 1.5 milion euro nga Mozzik dhe Getinjo, flasin reperët

07 shkurt 2018 16:52

Lajmi se dy reperët Mozzik dhe Getinjo janë larguar nga labeli "On Records" pushtoi mediat muajin e kaluar. U bë një zhurmë e madhe pas statuseve të dy reperëve dhe ish-menaxherit të tyre.

Ky i fundit kishte deklaruar se dy reperët do përballen me ligjin për prishje të kontratës.

Dyshja prej vitesh ka pasur kontratë me shtëpinë diskografike “On Records”, të cilët gjatë gjithë kësaj kohe janë përkujdesur për projektet e tyre. Por, kohët e fundit dy vëllezërit dhe menaxhmenti hasën në mosmarrëveshje, çka i nxiti dyshen të hiqnin dorë nga ky label.

Getinjo ekskluzivisht për “Express” të KTV-së ka treguar edhe arsyen e largimit të tyre nga ky label.

Situata nuk do të jetë aq e thjeshtë, kjo pasi "On Records" ka hedhur tashmë në gjyq dy reperët dhe kërkon një dëmshpërblim të majmë për prishjen e kontratës.

Korab Rexhepi, avokati i angazhuar nga “On Records”, flet ekskluzivisht në një intervistë për Express ku tregon edhe arsyen e padisë.

Rexhepi tregon se paditë janë të ndara për Mozzik dhe Getinjon.

Padia e ngritur ka një shumë tejet të madhe të të hollave.

Dy reperët kanë marrë ftesat për t’u paraqitur në gjyq, por ende nuk dihet nëse do të paraqiten në seancën e parë në Gjykatën Themelore.

Sipas shtëpisë diskografike, Mozzik dhe Getinjo përveç dëmtimit material, kanë dëmtuar edhe imazhin e labelit në fjalë.

Menjëherë pas largimit të dy reperëve nga kompania në fjalë, të gjitha klipet e Mozzik dhe Getinjo, të cilat janë pronë e “On Records”, janë fshirë nga kanali i “YouTube”.

Reperët për emisionin Express kanë bërë të ditur se tashmë kanë angazhuar një avokate dhe se ajo do jetë pjesë e seancave gjyqësore për t’i përfaqësuar e mbrojtur ata.

Kujtojmë që dy reperët ka vite që janë bërë pjesë e “On Records” dhe se kontrata e tyre është noterizuar.

Mbetet të shihet se si do të ecën karriera e Getoar dhe Gramoz Aliut, të cilët siç mëson emisioni Express nuk kanë të drejtë të paraqiten me emrat e deritanishëm artistikë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme