Yjet e shfrytëzuan “SAG Awards” për të bartur mesazhe

Yjet e shfrytëzuan “SAG Awards” për të bartur mesazhe

22 janar 2018 17:17

U mbajt edicioni i 24-të me radhë i ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve “SAG Awards”, të cilat i ndanë shoqata e aktorëve në Hollywood dhe mbrëmja u karakterizua me momente të shumta interesante.

Duke qenë se në industrinë e showbizit është duke dominuar një frymë e luftës për barazi gjinore dhe yjet e kanë ngritur zërin kundër ngacmimeve seksuale kudo në vendin e punës, ky edicion i shpërblimeve “SAG” iu dedikua femrave dhe kontributit të tyre në kinematografi, por nuk u lanë anash as burrat që po i përkrahin ato në këtë mision të barazisë gjinore dhe drejtësisë në vendin e punës.

Madje për herë të parë në historinë e kësaj ngjarje, ceremonia e ndarjes së shpërblimeve u udhëhoq nga një person dhe atë një aktore femër, Kristen Bell. Ajo solli shumë humor në skenë, por nuk harroi as të mbajë fjalim për gjërat që janë duke ndodhur për momentin në Hollywood, duke bërë thirrje për ndryshime pozitive dhe paqe e dashuri.

Sa iu përket projekteve dhe aktorëve të nderuar të mbrëmjes, komedia "Three Billboards Outside Ebbing, Missouri" i fitoi tri shpërblime SAG, përfshirë këtu kategoritë “Ekipi më i mirë në film”, protagonistja e filmit Frances McDormand u shpall “Aktorja më e mirë në film” dhe Sam Rockwell u shpërblye me çmimin “Aktori më i mirë në rol dytësor”. Aktori i njohur britanik Gary Oldman e fitoi çmimin “Aktori më i mirë në film” për portretizimin e liderit të Britanisë së Madhe gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore, Winston Churchill, në filmin "Darkest Hour". Ndërsa, Allison Janney u shpall “Aktorja më e mirë në rol dytësor” për rolin e saj në filmin "I, Tonya".

Sa u përket kategorive për seri, drama "This Is Us" dhe komedia "Veep" i morën disa prej shpërblimeve kryesore të mbrëmjes. Julia Louis-Dreyfus, e cila është duke iu nënshtruar tretmanit për kancer në gji, për të cilën arsye edhe mungoi në këtë mbrëmje, u shpërblye nga kolegët e saj me çmimin “Aktorja më e mirë në komedi”, derisa aktorja e re në industri, Claire Foy, e cila poashtu mungoi në këtë ngjarje, e fitoi çmimin “Aktorja më e mirë në dramë” për portretizimin e mbretëreshës Elizabeth në serinë "The Crown." Aktori Sterling K. Brown e fitoi çmimin “Aktori më i mirë në dramë” për rolin e tij në serinë “This Is Us” dhe kështu bëri histori, duke qenë aktori i parë zezak që e ka fituar këtë shpërblim. Ndërsa, William H. Macy u shpall “Aktori më i mirë në komedi” për rolin e tij në serinë "Shameless".

Seria "Big Little Lies" i fitoi dy shpërblime gjatë mbrëmjes për aktorët e saj, Nicole Kidman dhe Alexander Skarsgard, në kategoritë “Aktori përkatësisht aktorja më e mirë në seri të limituar televizive”.

E me çmimin special për arritje jetësore u nderua veterani Morgan Freeman, i cili tha se ndihet tejet i nderuar që karriera e tij po vlerësohet nga njerëzit që më së miri e njohin këtë profesion dhe kontributin e tij, që janë kolegët e tij aktorë.

Shpërblimet SAG shpesh janë indikatorë të aktorëve potencialë për t’u shpërblyer me Oscar në muajin mars, pasi që pjesa më e madhe e anëtarëve të shoqatës së aktorëve në Hollywood janë po ashtu anëtarë të Akademisë së Arteve dhe Shkencave. Nominimet për shpërblimet kryesore në kinematografi, ato Oscar, do të bëhen të ditura nesër.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme