Një yll në “Walk of Fame” për Selena Quintanilla

Një yll në “Walk of Fame” për Selena Quintanilla

04 nëntor 2017 23:25

Dy emra të njohur, Demi Lovato dhe Kim Kardashian u përplasen këtë “Halloween” me shndërrimin në të njëjtin personazh: këngëtaren e njohur meksikane, Selena Quintanilla, të qëlluar për vdekje në kulmin e karrierës nga ish-drejtuesja e klubit të adhuruesve të saj, Yolanda Saldívar.

Selena ishte vetëm 23 vjeç. Ajo u qëllua për vdekje, sepse kishte rënë në gjurmët e shkeljeve dhe vjedhjeve të Saldivarit, e i kërkoi raportet financiare.

Tani, idhulli i miliona meksikanëve është nderuar pas vdekjes me një yll në shëtitoren e famës në “Hollywood”, transmeton tch.

Fansa të shumtë pritën në rrugë me orë të tëra, për t’i bërë homazhe yllit që e ktheu muzikën folk “Tejano”, në të preferuarën e mijëra e mijëra njerëzve. Aktorja Eva Longoria tha se nderimi i bërë Selenës i prek të gjithë latinët.

“Ky yll nuk është vetëm për Selenën, është për të gjithë latinët që kanë pasur ndonjëherë një ëndërr. Unë u rrita pa e parë gjëkundi një pasqyrim timin në televizion, nëpër filma me muzikë. Dukej sikur ne nuk ekzistonim në rrymën e përgjithshme amerikane. Por e gjithë kjo ndryshoi, kur një këngëtare e re e shkëlqyer me emrin Selena, e ndërroi të gjithë peizazhin e argëtimit muzikor, duke ndryshuar kështu në mënyrë të pashmangshme edhe vet rrugëtimin tim”, tha Eva Longoria, aktore.

Në emër të këngëtares, yllin e pranoi motra e saj, Suzette Quintanilla. Ceremonia u zhvillua si rrallëherë në mbrëmje. Hera e fundit që një yll në shëtitoren e famës është dhënë në orët e natës ka qenë në vitin 2010, kohë kur iu dorëzua bateristit të “Beatles”, Ringo Starr.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme