Showbiz

Rrëfimi i aktorit Val Maloku, 13 vjeçi që po luan krahas aktorëve ndërkombëtarë

Është vetëm 13-vjeçar, por në momentin kur ndizet drita e kuqe e kamerës, duket sikur ka një jetë të tërë në shesh-xhirime.

Thjeshtë ka një talent të jashtëzakonshëm, i cili është i pashmangshëm nga syri i regjisorëve, së fundi edhe atyre ndërkombëtarë.

Ndonëse ka qenë i përfshirë në disa projekte, suksesi i tij më i madh ishte pjesëmarrja në filmin Hollywoodian “The Zookeepers Wife” me regji të Niki Caro.

Ditë më parë, u shfaq premiera botërore e filmit, me ç’rast i pranishëm ka qenë edhe aktori kosovar.

Filmi flet për dy individë, të cilët në Kopshtin Zoologjik në Varshavë i shpëtojnë jetët e shumë njerëzve gjatë pushtimit nazist. Vali në këtë film luan krahas aktores së famshme botërore Jessica Chastain.

Ai portretizon të birin e personazhit protagonist, që luhet pikërisht nga Chastain.

Eksperiencën në filmin Hollywoodian aktori e ka quajtur të jashtëzakonshme, nga e cila ka mësuar shumë.

Edhe pse vjen nga një familje, ku babin e ka aktor, Vali pohon se nuk e kishte menduar asnjëherë që do të bëhej edhe vet aktor. Thotë se suksesi që ka pasur në projektet pjesëmarrëse e ka bërë të mendojë shumë seriozisht që e ardhmja e tij t’i përkasë këtij profesioni.

E kur jemi te seriali “The Legend”, edhe ky mbetet një projekt shumë i rëndësishëm në karrierën e Val Malokut. E veçanta e kësaj është se ai ka luajtur krahas një aktori shumë të dashur për të.

Edhe pse i ka nisur hapat e sigurt drejt një karriere të suksesshme në industrinë ndërkombëtare të filmit, Val Maloku thotë se është i hapur ndaj ofertave që i bëhen nga regjisorët në vend. I rëndësishme për të është skenari i filmit.

Përveç që është komplimentuar për rolet që ka pasur deri më tani, Vali vitin e kaluar fitoi çmimin për aktorin më të mirë në Festivalin e Filmit në Zarë të Kroacisë, për rolin e tij në filmin “Babai”.