Dua Lipa dhe Rita Ora shkëlqejnë në “BBC Radio 1’s Teen Awards”

Dua Lipa dhe Rita Ora shkëlqejnë në “BBC Radio 1’s Teen Awards”

23 tetor 2017 17:22

Rita Ora dhe Dua Lipa janë definitivisht dy prej personaliteteve shqiptare ndër më të suksesshme në botë.

Në edicionin e fundit të ceremonisë shpërblyese në Londër, “BBC Radio 1's Teen Awards”, këngëtaret me prejardhje kosovare ishin ato që e rrëmbyen qendrën e vëmendjes.

Dua Lipa ishte ndër fitueset kryesore të mbrëmjes. Ajo e fitoi çmimin “Kënga më e mirë” për hitin e saj të padiskutueshëm “New Rules”.

Dua, e cila po ashtu u komentua për paraqitjen e saj mbi qilim të kuq, ku kishte veshur një fustan të shkurtër ngjyrë të verdhë, të kombinuar me sandale të zeza me take dhe me një grim tërësisht natyral, u deklarua shumë e lumtur për këtë çmim, dhe nuk harroi t’i falënderojë fansat që e kanë votuar atë.

Ajo po ashtu performoi në këtë ceremoni. Ajo e solli një interpretim të mrekullueshëm të këngës “New Rules”, duke e bërë publikun e pranishëm në sallë të këndoi bashkë me të.

Kur jemi tek kjo ceremoni, nuk kemi si të mos e përmendim Rita Orën, e cila edhe ishte prezantuese e mbrëmjes. Ajo u përkujdes për argëtimin e publikut në sallë, duke bërë një punë të shkëlqyer me sensin e saj të humorit.

Rita po ashtu performoi gjatë mbrëmjes. Ajo e interpretoi 3 këngë para publikut. Në mënyrë të shkëlqyer, Rita i këndoi live këngët “Lonely Togethet”, “Your Song” dhe “Anywhere”, dhe fansat e mirëpritën këtë performancë.

Një gjë që u komentua keq nga njerëzit ishte veshja e Ritës në këtë ngjarje. Ajo kishte zgjedhur të vishej me një kostum dhe kapele të markës “Burberry”, por që e solli bukuroshen Ora me pamje si të mashkullit në skenë. Edhe pse Rita po konsiderohet se ia huqi me këtë veshje, pasi publiku është mësuar ta shoh atë gjithnjë glamuroze dhe me shumë stil, kjo nuk e pengoi bukuroshen shqiptare të shkëlqejë me talentin e saj dhe personalitetin e veçantë. Rita ishte e nominuar në një kategori të këtyre shpërblimeve, por nuk arriti të triumfojë.

Ndërkaq mbrëmja u karakterizua me momente të shumta emocionuese. Prezenca e këngëtares amerikane, Camila Cabello i bëri fansat të entuziazmohen kur ato dolën në skenë për të performuar. Ajo madje e solli edhe një duet të këngës “Say You Wont Let Go” të këngëtarit James Arthur, me të cilin performoi në skenë. Derisa personaliteti televiziv, Gemma Collins, e pësoi një aksident të vogël në skenë, duke u rrëzuar. Por fatmirësisht ajo menjëherë ua bëri të ditur adhuruesve se nuk është lënduar shumë, dhe se gjithçka ia kishte vlejtur pasi kishte arritur ta realizojë një fotografi me idhullin e saj, Rita Ora.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme