“Tash e kam një natë sa 5 rroga profash”

“Tash e kam një natë sa 5 rroga profash”

02 tetor 2017 10:28

“Ma bojshin ça ki me bo nëse nuk të ec shkolla,

Tash e kam nji natë sa 5 rroga t’profave”.

Kështu e nis një prej këngëve të tij Majk, reperi i njohur nga Kosova që po njeh një ngjitje meteorike në tregun e muzikës shqiptare. Që kur ‘zbuloi’ se mund të ishte një ‘Maitre Gims’ i shqiptarëve, Kastriot Rexha (Majk) nuk ka të ndalur. Por sa herë që kënga “Le të xhelozojnë” më zë pritë në radio, mendja më shkon te një prej ekonomistëve më të mirë në botë, Ludwig von Mises.

Shqetësimi i prindërve, miqve apo edhe mësuesve të tij se Majk nuk do ia dalë në jetë pa shkollën, rezultoi i pabazuar, pasi ai vetë thotë se me një koncert fiton më shumë se pesë rroga profesorësh. Në mos më shumë, pasi disa të dhëna që publikohen nga mediat për shumat që fitojnë këta këngëtarë, të befasojnë.

“Benzi ma i bardhë se koka, veç sa e mora.

Pare shumë, po mendojnë që droga,

Pare n’çantë, pare n’bankë, pare n’kufer,

Ti je shumë i vogël Mini Cooper”.

Kështu vijon më tej teksti i këngës. Ky nuk është rasti të flasim kundër arsimit. Por ndryshe nga sa mendojnë njerëzit, Majk ka gjetur një rrugë të ligjshme për të fituar shuma të mëdha: Jo me drogë, por duke kënduar. E ç’lidhje ka ky tekst me ekonomistin austriak Ludwig von Mises, themelues i Shkollës së Vjenës dhe mësues e këshillues i nobelistit Hajek, që i bëri punimet e tij shtatë dekada më parë dhe që punimet e tij janë ‘rikthyer’ akoma më të rëndësishme në mbarë botën?

Në një prej librave të tij, të titulluar “Mentaliteti antikapitalist”, publikuar këto ditë nga UET-Press dhe shqipëruar e përgatitur me mjeshtëri nga profesor Adrian Civici, ai trajton pikërisht këtë çështje. Në vitin 1954, pas një jete të kaluar me punime serioze teorike në fushën e shkencave ekonomike, Mises e ktheu vëmendjen te një prej pikëpyetjeve më të mëdha të kohës: Të zbulojë se përse intelektualët e urrejnë kapitalizmin.

Me shumë gjasë që profesori i Majk do ketë menduar i tmerruar se si një nxënës i tij i dobët, tani ‘nuk di nga i hedh paratë’. Nëse i besojmë fjalëve të Sir Ken Robinson, një ekspert i kreativitetit, edhe vetë profesori nuk është pa faj, pasi duhej të kishte pikasur talentin e Majk në të kënduar.

“T’u çu pare n’bankë, hala pa kravatë,

Suksesi rrugë e gjatë, unë kom hyp mbi gjirafë,

Këta s’munden m’u kapë se nuk kanë imagjinatë”.

Më tej këngën e vijon Onat, një rapper me të cilin Majk ndante dikur një grup të përbashkët. Vini re se si mendojnë sa përcaktues është në suksesin e tyre një element i rëndësishëm: Imagjinata. Sepse ajo prodhon idetë, që më pas çojnë te fitimet. Pikërisht te fitimet buron urrejtja që kanë intelektualët për kapitalizmin.

Të shumtë janë ata që mund të thonë se Majk vërtet nuk po shet drogë, por këngët e tij helmojnë si droga rininë. Tekstet janë vulgare dhe agresive, muzika është pa shije. A nuk ishte vetë ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, që me një retorikë soc-realiste pati bërë thirrje që të ndalen të tilla videoklipe pasi po nxisin dhunë?

Mises eksploron një seri këndvështrimesh për këtë çështje. Ai shpjegon se disa aspekte të tregut i kanë zhgënjyer edhe mbrojtësit e tij. Për shembull, a është e vërtetë që tregu nuk favorizon kulturën cilësore? Mises thotë se shijet e masës gjithmonë dhe kudo do jenë më të ulëta se ato të personave të edukuar dhe të kultivuar, që dashurojnë kulturën e lartë. Por ai thotë se lavdia e kapitalizmit është se sjell në çdo sektor atë që nevojitet, më shumë se çdo sistem tjetër. Po, do ketë më shumë gjëra jocilësore për intelektualët, por do ketë edhe më shumë punime cilësore. Është çështja se çfarë është e disponueshme: Në socializëm asgjë nuk është e disponueshme. Në kapitalizëm mundësitë për zgjedhje janë thuajse pa kufi.

“Sharlatanët kapitalistë nuk kanë asnjë interes tjetër veç interesave të tyre financiare. Ata nuk krijojnë asgjë të mirë dhe të vlefshme për shoqërinë, duke u preokupuar vetëm për gjërat që sjellin fitime të mëdha. Nga njëra anë, ata helmojnë trupin e njerëzve nëpërmjet pijeve alkoolike dhe duhanit, ndërsa nga ana tjetër shkatërrojnë ndjenjat dhe shpirtin nëpërmjet tabloidëve, librave materialistë dhe filmave limonadë pa asnjë vlerë”, citon Mises komentet e intelektualëve.

“Ka shumë njerëz që e bëjnë kapitalizmin përgjegjës për komercializimin, çmenduritë dhe abuzimet evidente të mjaft prej produkteve të industrisë së argëtimit”.

Por në fund, sërish kapitalizmi do të fitojë, pasi gara sjell edhe cilësinë (marrë me shkurtime nga MAPO).

Komentet

Shto koment

Të ngjashme