Showbiz

Dushku rrëfen për shërimin nga varësia e drogës dhe alkoolit

Aktorja me prejardhje shqiptare, Eliza Dushku, që mori famë ndërkombëtare për paraqitjet në “Buffy the Vampire Slayer” dhe “Bring It On”, ka pranuar se për tetë vjet nuk ka pirë alkool pas luftës që kishte me varësinë nga droga dhe alkooli.

WCVB raporton se 36-vjeçarja ka treguar për luftën e saj me alkoolin dhe drogën gjatë Samitit për të rinj në New Hampshire javën e shkuar.

Ajo ka treguar se kishte eksperimentuar me drogën kur ishte 14-vjeçare dhe se e kishte pëlqyer shumë mënyrën se si ndihej kur kishte përdorur drogë.

Dushku po ashtu ka thënë se kishte nisur trajtimin kundër varësisë pasi vëllai i saj i kishte thënë se nuk e do afër të bijës së tij, nëse ajo konsumon alkool e drogë.

Tani thotë se është “hallë” e mirë dhe se nuk pi alkool për të mirën e vet.

“Droga dhe alkooli janë të fuqishme, por ne jemi më të fuqishme”, ka thënë ajo.