Showbiz

Dua Lipa pjesë e koncerteve të fundvitit në New York dhe Londër

Ylli i muzikës pop, Dua Lipa, po vazhdon të performojë në kuadër të ngjarjes së përvitshme, “iHeartRadio Jingle Ball”.

Gjatë fundjavës ajo interpretoi në koncertin e organizuar në New York, ku e argëtoi turmën me disa prej hiteve të saja muzikore. Pjesë e listës së yjeve të cilët e ndanë këtë skenë me Lipën ishin, Lizzo, grupi “Backstreet Boys”, Demi Lovato dhe Charlie Puth.

Shou i organizuar për nderë të festave të fundvitit zuri vend në sheshin “Madison Square Garden”, ndërsa performamcat e artistëve të famshëm do të transmetohen në kanalin “CW” më 17 dhjetor.

Ndërkaq, dy ditë më vonë, këngëtarja me prejardhje kosovare dhe famë botërore e hijeshoi skenën e ngjarjes festive, “Capital’s Jingle Bell Ball” në Londër.

Atje, Lipa skenën e ndau me artistë britanik si, reperi Stormzy, kantautori George Ezra, DJ Tiësto dhe këngëtarja Becky Hill. Koncerti i së dielës zuri vend në arenën “O2”. Një ditë më herët në këtë koncert kishin performuar grupi “Coldplay” dhe këngëtarët Sam Smith, Sam Ryder, Kim Petras, KSI dhe Tom Grennan.