Showbiz

Nicki Minaj do të nderohet me çmimin special “Video Vanguard”

Descriptive Text

Rep-artistja e suksesshme amerikane, Nicki Minaj, do ta pranojë çmimin special “Video Vanguard” në edicionin e radhës të ceremonisë shpërblyese “MTV Video Music Awards”, që mbahet në fund të këtij muaji. Kështu, ajo i bashkohet listës së yjeve që janë vlerësuar me këtë çmim në të kaluarën, si Madonna, Janet Jackson, LL Cool J, Jennifer Lopez dhe Missy Elliott, raporton agjencia e lajmeve “AP”.

Minaj, e cila gjatë karrierës i ka fituar pesë trofe “MTV” për hite të tillë si, “Anaconda”, “Chun-Li” dhe “Hot Girl Summer”, do ta pranojë çmimin e veçantë si dhe do të performojë në ceremoni më 28 gusht, në qendrën “Prudential” në New Jersey.

“Nicki ka thyer barriera për gratë në hip-hop me shkathtësinë dhe mjeshtërinë e saj krijuese. Ajo e ka ndryshuar industrinë e muzikës dhe e ka vulosur statusin e saj të yllit global, me guximin e saj për të eksperimentuar, stilin që sfidon zhanrin dhe faktin se vazhdon të jetë vetvetja”, deklaroi Bruce Gillmer, shefi i përmbajtjes muzikore në platformën digjitale “Paramount+”.

Jack Harlow, Lil Nas X dhe Kendrick Lamar janë konkurrentët kryesorë të ceremonisë së sivjetme, “MTV Video Music Awards”, me nga shtatë nominime secili, derisa për çmimin “Artisti më i mirë i vitit”, sivjet garojnë Jack Harlow, Lil Nas X, Drake, Bad Bunny, Ed Sheeran, Harry Styles dhe Lizzo.

Harry Styles dhe Doja Cat, kanë arritur t’i fitojnë nga gjashtë nominime në këtë edicion të ceremonisë, derisa yjet, Ed Sheeran, Billie Eilish, Drake, Dua Lipa, Taylor Swift dhe The Weeknd, janë nominuar në gjithsej pesë kategori.

Madonna, e cila është artistja më e shpërblyer në historinë e ceremonisë “MTV Video Music Award”, me gjithsej 20 çmime të fituara, bëhet artistja e vetme që ka marrë nominim në secilin edicion të kësaj ngjarje në këto pesë dekadat e fundit. Ajo e fitoi nominimin e saj të 69-të për albumin e katërmbëdhjetë të incizuar në studio, “Madame X”.

Po ashtu në ceremoni do të performojnë yjet, Anitta, J Balvin, Marshmello dhe Khalid. Emra të tjerë artistësh pritet të zbulohen së shpejti.