Showbiz

Brad Pitt emocionohet teksa flet për të bijën Shiloh

Brad Pitt është një baba që i adhuron fëmijët e tij. Aktori pati vetëm lëvdata dhe admirim për vajzën e tij 16-vjeçare, Shiloh Jolie Pitt, dhe aftësitë e saj në vallëzim.

Ylli i kinematografisë parakaloi mbi qilimin e kuq në Los Angeles të shtruar pë premierën e filmit “Bullet Train”, ku e dha një intervistë të shkurtër për kanalin “ET”. Gazetarja e pyeti për një video e cila po qarkullon online, ku vajza e tij i shfaq aftësitë impresionuese në vallëzim.

“Më bënë të qaj. Ajo është shumë e bukur. Nuk e di nga i ka trashëguar këto aftësi, sepse unë nuk di të vallëzoj fare”.

Kur u pyet nëse preferon që fëmijët e tij të qëndrojnë larg botës së showbizit dhe vëmendjes së publikut, apo ta shfaqin talentin e tyre dhe kreativitetin për art, Pitt tha se shpreson që ata ta gjejnë rrugën e tyre që iu sjell lumturi në jetë.

“Më pëlqen kur ata e gjejnë rrugën e tyre, gjejnë gjëra që iu interesojnë dhe për të cilat kanë talent”, deklaroi aktori për fëmijët e tij të cilët i ndanë me ish-bashkëshorten, Angelina Jolie.

Së fundmi u bë e ditur se edhe vajza e adoptuar e çiftit, Zahara, e ka filluar një rrugëtim të rëndësishëm në jetën e saj. Ajo do t’i ndjekë studimet në kolegjin “Spelman”, i cili historikisht i dedikohet komunitetit të afrikano-amerikanëve.

Filmi i ri “Bullet Train”, ku Brad Pitt e luan rolin protagonist, fillon së shfaquri nëpër kinematë e Amerikës nga 5 gushti.