Showbiz

Shawn Mendes anulon turneun për shkak të shëndetit mendor

Descriptive Text

Ylli i njohur i muzikës, Shawn Mendes, e ka përmbyllur përfundimisht turneun botëror, duke i anuluar koncertet e mbetura në Amerikën Veriore dhe Evropë, për t’u fokusuar në shëndetin e tij mendor.

“Nuk isha i gatshëm për vështirësitë që vijnë me realizimin e një turneu, pas një pauze të gjatë. Pasi bisedova me ekipin tim dhe u konsultova me një grup të jashtëzakonshëm të profesionistëve shëndetësor, u bë plotësisht e qartë se duhet të largohem nga skena për ca kohë dhe të pushojë, për t’u rikthyer pastaj më i fuqishëm se kurrë”, shkroi këngëtari në një mesazh të postuar në rrjetet sociale.

Mendes e filloi turneun botëror në muajin qershor, me qëllim të promovimit të albumit të tij të fundit, “Wonder”. Por në fillim të korrikut deklaroi se po i duhet të pushojë për tri javë. Tani, këngëtari me keqardhje u kërkon fansave mirëkuptim për faktin se është i detyruar ta anulojë këtë turne, pasi i duhet ta vë në prioritet shëndetin e tij, raportoi të enjten agjencia e lajmeve “AP”.

Megjithëkëtë, kantautori kanadez i siguroi fansat se do të vazhdojë të bëjë muzikë të re dhe do të rikthehet me turne muzikor në një të ardhme të afërt.

Shawn Mendes ishte në lidhje romantike me yllin e hitit “Havana”, Camila Cabello, për më shumë se 2 vjet, por në nëntor të vitit të kaluar çifti vendosi të ndahet në mënyrë shoqërore. Dy artistët e famshëm deklaruan se dashuria për njëri-tjetrin vazhdon të jetë më e fuqishme se kurrë.

Mendes tashmë ka gëzuar suksese të jashtëzakonshme gjatë karrierës së tij, duke i fituar disa çmime të rëndësishme si dhe duke i pushtuar toplistat muzikore anembanë botës. Disa prej këngëve më të pëlqyera të këngëtarit janë: “There’s Nothing Holdin’ Me Back”, “Stitches”, “If I Can’t Have You”, “Mercy”, “Treat You Better”, “In My Blood” dhe “Senorita”.