Showbiz

Bebe Rexha paralajmëron bashkëpunimin me grupin “ITZY”

Kantuatorja me prejardhje shqiptare dhe famë botërore, Bebe Rexha, i ka ndarë disa sekonda të projektit të saj të ardhshëm remix, “Break My Heart Myself”, të cilin e sjell me grupin e muzikës K-pop, “ITZY”.

Të martën (28 qershor), këngëtarja e postoi një mesazh në rrjetin social Twitter, përmes së cilit e paralajmëroi remixin e ri të këngës së saj të lansuar në vitin 2021.

 

 

Më pas, Rexha i falënderoi adhuruesit e saj besnik duke ju thënë që janë ata që e kanë bërë këtë projekt të mundur.

Ende nuk është bërë e ditur data e saktë e lansimit të këtij remixi, raportoi të martën portali “NME”.

Spekulimet për një bashkëpunim të mundshëm të këngëtares amerikane me grupin nga Korea Jugore, filluan para disa javësh kur dy anëtaret e bendit “ITZY”, Yeji dhe Ryujin, e sollën një performancë të mrekullueshme vallëzimi të shoqëruar me tingujt e këngës, “Break My Heart Myself”. Ato e postuan këtë video në YouTube, me ç’rast edhe e rrëmbyen vëmendjen e yllit të muzikës pop, Bebe Rexha.

“Le t’i ftojmë vajzat e grupit ‘ITZY’ në remixin e këngës ‘Break My Heart Myself’”, kishte shkruar këngëtarja Bebe në një mesazh të postuar në Instagram.

Në fillim të muajit qershor, grupi “ITZY” përmes një filmi konceptual mahnitës e paralajmëroi rikthimin në muzikë, me publikimin e mini-albumit të pestë të titulluar, “Checkmate”. Ky do të jetë projekti i parë i vajzave për vitin 2022 dhe pritet të publikohet gjatë muajit korrik.

Grupi i përbërë nga katër anëtaret, Yeji, Lia, Ryujin, Chaeryeong dhe Yuna, në gusht e fillon turneun e parë botëror, që ka për qëllim ta promovojë albumin “Checkmate”, me një koncert në Seoul para se të vazhdojnë tutje me perfomancat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.