Showbiz

Johnny Depp hap llogari në TikTok pas triumfit në gjykatë

Johnny Depp duket se po i rikthehet jetës sociale me vrull.

Ylli i filmave “Pirates of the Caribbean”, i cili javën e kaluar e fitoi rastin gjyqësor kundër ish-gruas së tij Amber Heard, e ka hapur një llogari në rrjetin social TikTok.

Aktori e aktivizoi profilin e tij të hënën (6 qershor), dhe tashmë ka arritur t’i bëjë më shumë se 3 milionë ndjekës, raporton portali “Female”.

Depp ende nuk ka postuar ndonjë video dhe nuk ka filluar ta ndjekë ndonjë personazh në këtë rrjet social, por pritet të shihet se sa do të jetë aktiv me kalimin e kohës.

Është fakt se Johnny e gëzon një bazë të madhe adhuruesish në botën e digjitalizuar, sidomos për rolet e tij në filmat “Fantastic Beasts” dhe “Pirates of the Caribbean”. Prandaj, gjatë kohës sa u zhvilluan seancat gjyqësore, lajmet rreth mbarëvajtjes së tyre e dominuan TikTokun, ku shumica e ndjekësve e përkrahnin aktorin dhe e nënçmonin Amber Heardin. Një nga produktet kryesore në TikTok janë ‘memet’. Përdoruesit e këtij rrjeti social shohin ndonjë video të veçantë ose një pjesë të caktuar të audios, dhe prodhojnë diçka të ngjashme në mënyrë që të provojnë dhe të përfitojnë nga popullariteti i tyre. Në këtë rast, vetë gjyqi ndërmjet aktorëve Depp dhe Heard ishte shndërruar në një ‘meme’.

Gjykata e Fairfax në Virginia e shpalli aktoren, Amber Heard, fajtore për shpifje ndaj ish-bashkëshortit në një artikull në të cilin ajo pretendonte se ishte viktimë e abuzimit në familje. Si rezultat, ajo duhet t’ia paguajë Deppit 15 milionë dollarë dëmshpërblim.

Pas finalizimit të procesit gjyqësor, ylli i filmit “Edward Scissorhands” i cili i ka fëmijët, Lily-Rose dhe Jack, me ish-partneren Vanessa Paradis, e - pranoi se jeta e tij ka ndryshuar përgjithmonë nga ky rast.

“Gjashtë vjet më parë, jeta ime, jeta e fëmijëve të mi, jeta e njerëzve më të afërt dhe gjithashtu jeta e njerëzve që për shumë e shumë vite më kanë mbështetur dhe kanë besuar në mua, ka ndryshuar përgjithmonë. Gjithçka sa hap e mbyll sytë. Akuza të rreme, shumë të rënda dhe kriminale u bënë ndaj meje përmes mediave, të cilat shkaktuan një breshëri të pafund përmbajtjesh urrejtjeje, megjithëse kundër meje nuk ishte ngrehur asnjë padi. Por, këto gënjeshtra dhe shpifje tashmë kishin udhëtuar anembanë botës brenda një kohe shumë të shkurtër, dhe ato patëm ndikim jashtëzakonisht të madh në jetën dhe karrierën time”, ka deklaruar Depp.

Aktorja e filmit “Aquaman”, Amber Heard, e cila ishte e martuar me Deppin nga viti 2015 deri më 2017, e pranoi se po ndihej zemërthyer me vendimin e jurisë dhe sugjeroi se ai ishte një “kthim prapa” për të drejtat e grave.

“Ky vendim është kthim prapa në një kohë kur gratë që ngritin zërin për çështje të caktuara, mund të turpërohen dhe poshtërohen publikisht”.

Zëdhënësja e aktores, Alafair Hall, e ka konfirmuar lajmin se Heard po planifikon ta apelojë vendimin e gjykatës.