Showbiz

Kendrick Lamar thyen rekordet e transmetimit në platformën “Apple”

Descriptive Text

Reperi Kendrick Lamar e shënoi rikthimin e shumëpritur të premten (13 maj), me lansimin e albumit të ri “Mr. Morale & The Big Steppers”.

Projekti muzikor që vjen pas albumit të shumëshpërblyer të vitit 2017, “DAMN”, po konsiderohet si album i dyfishtë, pasi i përmban gjithsej 18 këngë dhe përfshinë bashkëpunime të Lamarit me artistë të njohur si, Ghostface Killah, Kodak Black, Baby Keem dhe të tjerë.

Pritja që për fansat e muzikës zgjati për plot pesë vjet, rezultoi me disa shifra të mëdha për reperin nga Comptoni, raporton portali "HipHop DX".

Sipas platformës “Apple Music”, albumi i pestë i incizuar në studio i Kendrickut i ka thyer rekordet e transmetimit brenda një dite.

Incizimi i ri po ashtu e mori aprovimin e yllit të muzikës rep, Eminem, i cili në një postim të fundit në Twitter deklaroi: “Ky album është i jashtëzakonshëm. Jam pa fjalë”.

 

 

Kjo nuk është hera e parë që Lamar thyen rekorde muzikore. Në vitin 2017, albumi i tij “DAMN” debutoi në vendin e parë të toplistave, dhe i shiti më shumë se 600 mijë kopje në javën e parë të lansimit, duke u bërë edhe albumi i shtatë me shitjen më të mirë të atij viti.

Në vitin 2020, albumi i dytë i reperit, “good kid, m.A.A.d city”, u bë albumi i muzikës Hip-Hop me qëndrimin më të gjatë në toplistën “Billboard 200”. Ky incizim i kaloi më shumë se 400 javë apo tetë vjet në toplistën e famshme të 200 albumeve më të mira.

Së fundmi, Kendrick Lamar e bëri të ditur lajmin se do ta fillojë një turne muzikor që ka për qëllim promovimin e albumit të ri. Me titull “The Big Steppers Tour”, turneu që i përfshinë 65 koncerte do të fillojë më 19 korrik në Oklahoma City dhe do të përmbyllet në muajin dhjetor në Australi.

Të shtunën më 14 maj, reperi e publikoi videokprojektin e radhës me titull “N94”. Kënga e cila është pjesë e albumit të ri u mirëprit nga fansat dhe aktualisht i numëron më shumë se 7 milionë klikime në YouTube.

Kujtojmë se pikërisht me ballinën e albumit “Mr. Morale & The Big Steppers”, Lamar e konfirmoi lajmin se ai dhe e fejuara e tij, Whitney Alford, e kanë mirëpritur në jetë fëmijën e dytë. Çifti, që është në lidhje nga shkolla e mesme, e ka edhe një vajzë dy vjeçare së bashku.

Image