Showbiz

“Doctor Strange in the Multiverse of Madness” fillon shfaqjen nëpër kinema

Descriptive Text

Benedict Cumberbatch, Elizabeth Olsen, Benedict Wong dhe Rachel McAdams, e hijeshuan qilimin e kuq të shtruar me rastin e premierës botërore të filmit, “Doctor Strange in the Multiverse of Madness”, në Los Angeles.

Një karakteristikë në këtë vazhdim të ri, padyshim se janë kostumet e aktorëve që vijnë të përditësuara dhe shumë më ndryshe, raporton agjencia e lajmeve “AP”.

Cumberbatch, i cili rikthehet në rolin protagonist, Dr Stephen Strange, shpjegoi se këto kostume i kishin ndihmuar t’i portretizojë disa versione të magjistarit problematik, i cili me një lëvizje e zhbllokon multiversin që kërcënon njerëzimin.

“Po, kanë ndryshuar shumë. Në këtë film unë i veshi disa kostume sepse i luaj disa versione të personazhit. Po ashtu grimeri im më ka ndihmuar me krijimin e disa pamjeve të ndryshme. Kjo është një kënaqësi e vërtetë sepse tregon se personazhi ka evoluar. Kjo është pjesa argëtuese e punës në një projekt të bazuar në universin kinematik ‘Marvel’”.

Në filmin e dytë, aktorja Elizabeth Olsen e përsërit rolin e magjistares Wanda Maximoff, e njohur me nofkën Scarlet Witch.

“Dua të them, kostumet kanë ndryshuar me kohë. Nuk ka shumë kohë që personazhi im u bë me veshje të superheroit, dhe më pas ato ndryshuan për serialin ‘WandaVision’. Kurse tani ajo është shndërruar në Scarlet Witch. Prandaj secili kostum e përfaqëson historinë dhe magjinë e vet”, tha Olsen.

Benedict Wong, i cili ka qenë pjesë e filmit të parë dhe disa aventurave tjera të Marvelit si, “Spider-Man: No Way Home” dhe “Shang-Chi and the Legend of the Ten Rings”, rikthehet në këtë projekt për ta portretizuar magjistarin suprem, Wong.

“Absolutisht po. Wong kaloi nga një bibliotekar pa kuptim në një magjistar suprem. Dhe me këtë ndryshim erdhi edhe kostumi i ri i dizajnuar shumë bukur nga Graham Churchyard. Nuk e di si e bënë këtë punë, por kur i shikon të gjitha veshjet e krijuara nga ai, e kupton se janë plotësisht fantastike”, deklaroi aktori.

“Doctor Strange 2” e shënon rikthimin e regjisorit, Sam Raimi, në filmat me superheronj nga projekti i kaluar, “Spider-Man 3”.

“Kur drejtori i studios ‘Marvel’ e bëri të ditur lajmin se ‘Doctor Strange in the Multiverse of Madness’ do të realizohej, ai po ashtu e zbuloi se ky do të ishte projekti i parë i ‘Marvelit’ që hyn në zhanrin horror. Prandaj, pavarësisht se regjisori i parë Scott Derrickson u largua nga filmi dhe unë erdha për ta zëvendësuar atë, ky urdhër qëndronte ende. Kështu që mu duk një sfidë argëtuese dhe e pranove me shumë dëshirë. Personazhi Doctor Strange gjithmonë është ballafaquar me gjëra të frikshme dhe të çuditshme, teksa mundohej ta mbronte botën dhe universin nga forcat magjike”.

Aktorja Rachel McAdams, para gazetarëve foli për sfidat e portretizimit të versioneve të shumta të të njëjtit personazh.

“Ishte paksa sfiduese ta kuptoja se sa duhet t’i ndryshoja personazhet tjera, nga personazhi origjinal. Sepse ti dëshiron që ato të jenë identifikuese për publikun dhe që fansat të mund ta krijojnë njëfarë lidhje me rolin, njësoj siç kanë bërë me filmin e parë. Por, gjithashtu e rëndësishme është që këto personazhe ta sjellin një lloj mistike dhe ta bëjnë filmin të ngjasoj me zhanrin horror”.

Ky është filmi i parë i bazuar në librat komik “Marvel” që lansohet gjatë vitit 2022. Në këtë vazhdim të dytë, Benedict Cumberbatch rikthehet në rolin e superheroit Doctor Strange. Ai e rrëfen historinë pas ngjarjeve që ndodhin në filmin “Avengers: Endgame”, ku Dr. Stephen Strange e vazhdon kërkimin e tij për gurin magjik të kohës. Por një mik i tij i vjetër i shndërruar në armik, synon t’i shkatërrojë të gjithë magjistarët në Tokë, duke ia prishur atij planin dhe duke e shkaktuar lirimin e një të force të ligë të paimagjinueshme.

Në film po ashtu luajnë aktorët, Chiwetel Ejiofor, Michael Stuhlbarg dhe Xochitl Gomez.

“Doctor Strange in the Multiverse of Madness” ka filluar së shfaquri nëpër kinematë amerikane nga e premtja.