Showbiz

Rebel Wilson ylli i komedisë së re “Senior Year”

Imagjinojeni të zgjoheni një ditë dhe ta kuptoni se bota siç e njihnit, ka ndryshuar. Kjo i ndodh personazhit të aktores, Rebel Wilson, në komedinë e saj të re me titull, “Senior Year”.

Filmi flet për një ‘cheerleader’ e cila pas një aksidenti të papritur, bie në gjendje kome për 20 vjet. Pasi zgjohet nga koma, ajo vendos të rikthehet në shkollë të mesme por e gjen veten në një botë të panjohur për të dhe përballet me vështirësi për t’u përshtatur me nxënësit tjerë, raporton portali “The Verge”.

“Senior Year” vjen me regji të Alex Hardcastle, i cili e gëzon një karrierë të suksesshme me filma komikë. Ai shquhet për projekte të tilla si, “Grace and Frankie”, “Love”, “Victor”, “The Mindy Project” dhe “Suburgatory”.

Krahas yllit australian, Wilson, në film luajnë edhe aktorët: Sam Richardson, Zoë Chao, Mary Holland, Justin Hartley, Chris Parnell, Angourie Rice, Michael Cimino, Jeremy Ray Taylor, Avantika dhe Alicia Silverstone.

Filmi “Senior Year” do të lansohet në platformën Netflix më 13 maj 2022.