Showbiz

Albumi i katërt i Travis Scottit do të lansohet së shpejti

Foto: AP News

Katër postera reklamues të vendosur në afërsi të qytetit Indio të Kalifornisë, kanë lënë të nënkuptohet se albumi i katërt i incizuar në studio i reperit Travis Scott, “Utopia”, mund të lansohet së shpejti.

Posterat u spikatën të dielën (10 prill) në autostradë, dhe në ta shkruhej: “Psst……. Po e kërkoni Utopian? Jeni në rrugën e gabuar!”. Kurse postëri i katërt e mban logon e studios incizuese të Scottit, “Cactus Jack”, duke e konfirmuar zyrtarisht përfshirjen e reperit në këto reklama, raportoi të hënën portali “NME”.

 

 

Për shkak të vendosjes së tyre në afërsi të lokacionit ku mbahet festivali i famshëm, “Coachella”, ku sivjet Scott pritej të performonte bashkë me Kanye Westin, mediat e huaja spekulojnë se veprimi i reperit ka qenë i paramenduar dhe qëllimisht sinjalizojnë në drejtim të kundërt me festivalin.

Travis Scott gradualisht e ka shtuar prezencën publike, pas tragjedisë që ndodhi gjatë performancës së tij në festivalin “Astroworld”. Para pak javësh ai e lansoi iniciativën multi-milionë dollarëshe të quajtur, “Project HEAL”, dhe performoi në një ndejë të organizuar para ceremonisë “Oscar”. Megjthëkëtë, telashet për reperin nuk kanë mbaruar ende pasi ai vazhdon të përballet me probleme ligjore, rreth tragjedisë që i mori jetën dhjetë personave.

Një ditë para ngjarjes në festivalin “Astroworld”, i dashuri i yllit televiziv Kylie Jenner dhe babai i dy fëmijëve të saj, i lansoi dy këngë të reja me titull “Escape Plan” dhe “Mafia”. Ende nuk dihet nëse këto këngë do të përfshihen në albumin e ardhshëm të reperit, “Utopia”. Emrin e këtij incizimi, Scotti e bëri publik në fillim të këtij viti, me ç’rast u premtoi fansave muzikë krejtësisht të re si dhe deklaroi se po synon të bëhet një person më i mirë.