Showbiz

Kylie Jenner ka siguruar urdhër ndalesë ndaj fansit të obsesionuar

Foto: AP/Associated Press

Ylli televiziv, Kylie Jenner, e ka siguruar një urdhër ndalesë ndaj fansit të obsesionuar pas saj.

Bukuroshja 24-vjeçare ka arritur të ndërmarrë masa ligjore për ta siguruar veten dhe familjen nga, Jrue Mesgan, i cili vazhdimisht ka tentuar t’i afrohet shtëpisë së saj në Holmby Hills të Kalifornisë. Kështu ka raportuar ueb faqja për të famshëm TMZ.

Një gjykatës në Los Angeles e ka urdhëruar fansin e obsesionuar që të qëndrojë larg Kylie Jennerit për pesë vjetët e ardhshëm.

Mesgan u arrestua në muajin dhjetor pasi e shkeli urdhër ndalesën e përkohshme të lëshuar nga gjykata, duke shkuar në shtëpinë e Jennerit për ta takuar atë.

Shawn Holley, avokati i afaristes së famshme, së fundmi i dorëzoi disa dokumente në gjykatë në përpjekje për ta bërë urdhër ndalesën ndaj Mesganit të përhershme, dhe gjykatësi më në fund e ka panuar kërkesën e tij.

Ndërkohë, Kylie aktualisht është duke u bërë gati për ta sjell në jetë fëmijën e saj të dytë me të dashurin, Travis Scott.

Bukuroshja zeshkane e cila tashmë e ka vajzën 3-vjeçare, Stormi, me reperin e famshëm amerikan, së fundmi u bë gruaja e parë që i arriti 300 milionë ndjekës në rrjetin social Instagram.

Kështu, Kylie e rrëzoi nga froni pop yllin Ariana Grande, duke u bërë gruaja më e ndjekur në këtë platformë dhe renditet pas legjendës së futbollit Cristiano Ronaldo, i cili i ka 391 milionë ndjekës.

Jenner ka qenë më pak aktive në Instagram këta muajt e fundit, pas tragjedisë që ndodhi në koncertin e partnerit të saj, Travis Scott, ku mbetën të vdekur 10 persona. Ngjarja ndodhi gjatë performancës së reperit në kuadër të festivalit “Astroworld” në muajin nëntor.

Nga ajo kohë, Kylie i ka postuar vetëm dy fotografi ku shfaqet me barkun e fryrë, me qëllim të përditësimit të fansave rreth mbarëvajtjes së shtatzënisë së saj, dhe për t’i kujtuar ndryshimet domethënëse që i kanë ndodhur gjatë vitit 2021, të cilin tha se nuk do ta harrojë kurrë.