Showbiz

Marka “Dior” e ka pezulluar bashkëpunimin me Travis Scottin

Foto: AP/Associated Press

Pasojat e këqija për reperin, Travis Scott, pas tragjedisë në festivalin “Astroworld” po vazhdojnë, derisa shtëpia e njohur e modës “Dior” e ka pezulluar deri në kohë të pacaktuar bashkëpunimin e tyre me reperin e famshëm amerikan, kjo në shenjë respekti për viktimat.

Në fillim të muajit nëntor ndodhi një tragjedi ne mesin e turmës që po e ndiqte koncertin e reperëve, Travis Scott dhe Drake, si pasojë e së cilës mbetën të vdekur 10 persona dhe qindra të tjerë pësuan lëndime.

Tani, revista “People” raporton se Scott së bashku me markën “Dior” kanë vendosur ta shtyjnë bashkëpunimin mes tyre për ca kohë. Koleksioni i shumëpritur i realizuar nga kjo dyshe, planifikohej të lansohej në muajin janar të vitit të ardhshëm.

Për gazetën “Women’s Wear Daily” përfaqësuesit e markës së modës kanë deklaruar: “Në shenjë respekti për të gjithë të prekurit nga ngjarja tragjike në ‘Astroworld’, shtëpia e modës ‘Dior’ ka vendosur ta shtyjë përkohësisht lansimin e produkteve nga koleksioni i krijuar me Travis Scottin”.

“Dior” është marka e fundit që ka hequr dorë ose e shtyrë bashkëpunimin me Scottin pas ngjarjes së hidhur. Muajin e kaluar edhe kompania “Nike” e bëri një veprim të ngjashëm, duke e anuluar bashkëpunimin me reperin në krijimin e një koleksioni të ri të atleteve “Air Max 1”.

Në intervistën e parë pas kësaj tragjedie, Scott deklaroi: “Adhuruesit e mi vijnë në koncerte për ta pasur eksperiencë të bukur dhe unë e kam për detyrë ta zbuloj se çfarë ka ndodhur saktësisht. Është përgjegjësia ime ta gjej një zgjidhje”.

Të afërmit e viktimave reaguan menjëherë pas publikimit të intervistës, duke folur kundër reperit dhe deklaratave të tij, me ç’rast argumentuan se ai thjesht po e hidhte fajin diku tjetër. Familjet e gjysmës së viktimave të festivalit “Astroworld”, e kanë refuzuar ofertën e reperit për t’i paguar shpenzimet e funeralit.

Travis Scott tani po përballet me disa padi ligjore të ngritura kundër tij, bashkë me kompaninë “Live Nation” që merret me organizimin e koncerteve dhe persona të tjerë të përfshirë në përgatitjen e “Astroworld”. Në njërin rast gjyqësor, reperi akuzohet për neglizhencë dhe ballafaqohet me padi në vlerë prej 2 miliardë dollarësh, e ngritur në emër të 282 personave.