Showbiz

Tony Bennett dhe Lady Gaga me performancë të re për shoun “MTV Unplugged”

Foto: AP/Associated Press

Dyshja e njohur e muzikës, Tony Bennett dhe Lady Gaga, do të perfomojnë gjatë këtij muaji në kuadër të “MTV Unplugged”.

shou i sjellë dy yjet duke i interpretuar versionet akustike të këngëve nga albumi i tyre i ri, “Love For Sale”, i cili është nominuar për çmim “Grammy” në kategorinë “Albumi më i mirë i vitit”.

Interpretimi i dyshes është xhiruar në fillim të këtij viti në praninë e një turne intime në New York City, ndërsa do të transmetohet më 16 dhjetor si pjesë e serisë së perfomancave muzikore, “Love Music With MTV”, të cilat mbahen gjatë gjithë dhjetorit.

Albumi i fundit i këngëtarëve, Tony Bennett dhe Lady Gaga, “Love For Sale”, u lansua në fillim të muajit tetor. Ai është mirëpritur nga fansat anembanë botës dhe është vlerësuar nga kritikët e muzikës, duke i fituar disa nominime për shpërblime të rëndësishme muzikore. Edhe kënga e këtij albumi, “I Get A Kick Ou Of You”, ka arritur të nominohet për “Grammy” në kategoritë, “Incizimi i vitit”, “Performanca më e mirë pop” dhe “Videoklipi më i mirë”.

Kjo dyshe bashkëpunoi edhe në vitin 2014 në realizimin e albumit, “Cheek To Cheek”.

Në muajin gusht të këtij viti, Tony Bennett, e bëri të ditur lajmin se po pensionohet, kjo si pasojë e sëmundjes së Alzheimer. Në të njëjtën kohë ai i mbajti dy koncerte në sallën “Radio City Music Hall” në New York, të cilat e shënuan paraqitjen e fundit të Bennettit në skenë, duke përkuar edhe me ditëlindjen e tij të 95-të.

Bennett kishte vendosur ta incizojë edhe një album me Gagan, pas diagnostikimit me sëmundjen Alzheimer. Në fillim të vitit, këngëtari i cili gjatë karrierës 75-vjeçare dhe tejet të suksesshme muzikore i ka fituar 19 çmime “Grammy”, e bëri të ditur se është duke luftuar me këtë sëmundje progresive, pasi e kishte mbajtur të fshehtë për katër vjet.

Në një intervistë, djali i këngëtarit ikonik, Danny Bennett, deklaroi se një prej arsyeve pse familja e tij kishte vendosur ta bëjë publike diagnozën e Tony Bennettit me Alzheimer, ishte ngase e dinin se ai nuk do të ishte në gjendje ta promovojë albumin e ri, me t’u lansuar në treg.