Kanye West dhe Drake kanë pozuar së bashku për një fotografi, duke i dhënë fund potencialisht zënkës së kamotshme mes tyre. Dy reperët e famshëm i kanë prishur raportet mes tyre nga viti 2009, dhe kjo është ndër fotografitë e rralla ku ata shfaqen së bashku.
Në fotografinë e postuar në Instagram nga Westi, i cili së fundmi e ndryshoi zyrtarisht emrin në Ye, reperët shihen duke pozuar edhe në shoqërinë e mikut të tyre të përbashkët, J. Prince. Postimin, Ye e shoqëroi me figurën e një pëllumbi të bardhë.
Në fillim të këtij viti, ai i kishte dhënë mundësi për të bërë paqe reperit Drake, si dhe e ftoi të bëhet pjesë e koncertit të tij të ardhshëm në Los Angeles, që mbahet më 9 dhjetor. Ky shou ka për qëllim të bëjë thirrje për lirimin e Larry Hooverit, i cili aktualisht është duke i vuajtur gjashtë dënime të përjetshme në burg, nën akuzat e përfshirjes në grupe gangsterësh. Djali i Hooverit i kishte kërkuar yllit kanadez të muzikës, Drake, që ta pranojë ftesën e reperit Ye dhe kërkesën e tij për paqe mes tyre, duke thënë se “Drake është një lider i vërtetë dhe liderët marrin vendime të cilat edhe njerëzit e tjerë i ndjekin”.
Në lajme të tjera, Drake është emëruar në më shumë se një padi ligjore që ka të bëjë me tragjedinë e turmës në festivalin e Travis Scottit, “Astroworld”, ku mbetën të vdekur dhjetë persona dhe ku Drake po ashtu performoi.
Disa ditë pas kësaj ngjarjeje që e tronditi komunitetin artistik por edhe publikun anembanë botës, reperi kanadez e lëshoi një komunikatë për media ku thuhej: “Zemra më është thyer për familjet dhe miqtë e të gjithë atyre që I kanë humbur jetët, dhe personat e tjerë që po vuajnë si pasojë e kësaj tragjedie. Unë do ta vazhdoj të lutem për ta dhe do të mundohem të jem në shërbimin e tyre, në çfarëdo forme që është e mundur”.
Edhe Ye ia dedikoi performancën e fundit “Sunday Service”, familjarëve të viktimave të festivalit “Astroworld”. Performanca me muzikë kishtare e Westit zuri vend të dielën më 7 nëntor, dhe u transmetua live në platformat YouTube, Triller dhe REVOLT TV.
Pak para fillimit të transmetimit u postua një mesazh ku shkruhej: “Sunday Service i dedikohet familjarëve të festivalit ‘Astroworld’. Të kthehemi në një gjendje paqësore me këtë performancë e cila i dedikohet viktimave të koncertit të Traivs Scottit”.
Ylli i njohur i muzikës po ashtu së fundmi e lansoi një version special të albumit të tij të dhjetë të incizuar në studio, “DONDA”, ku përfshihet edhe një version i zgjatur i këngës “Life Of The Party” që tani e përfshinë edhe reperin dhe producentin amerikan, André 3000.
-
17 nëntor 2021 09:42
-
Shpërndaje në: