Showbiz

Adele i performoi tri këngë nga albumi “30” në një shou special

Ylli i njohur i muzikës, Adele, i debutoi tri këngë nga albumi i saj i ardhshëm, “30”, gjatë shout special televiziv të transmetuar të dielën më 14 nëntor.

Kantautorja britanike solli performanca fantastike live të këngëve, “I Drink Wine”, “Hold On” dhe “Love Is A Game”.

Shou special i titulluar “Adele: One Night Only”, u transmetua në kanalin “CBS” dhe përveç këngëve të reja, këngëtarja i interpretoi edhe disa prej hiteve të kaluara.

Po ashtu gjatë mbrëmjes u transmetua edhe një intervistë ekskluzive me prezantuesen, Oprah Winfrey, në atë që konsiderohet biseda e parë televizive e gjerë për albumin e saj të ri, historitë pas këngëve, jetën pas divorcit, humbjen e peshës dhe rritjen e djalit të saj is nënë e vetme.

{gallery}

Pas premierës në “CBS”, shou “Adele: One Night Only” ka filluar së transmetuari ekskluzivisht në platformën Paramount+. Tutje, Adele do ta realizojë një tjetër emision special për publikun në Britani të Madhe me titull, “An Audience With Adele’, i cili transmetohet në “ITV” më 21 nëntor.

Gjatë verës së ardhshme, ylli i baladave do ta shënojë rikthimin në skenën e muzikës në Angli, me dy performanca të veçanta në kuadër të festivalit muzikor, “British Summer Time”, i cili mbahet në parkun “Hyde”. Biletat për te dyja ngjarjet tashmë janë shitur.

Fansat kanë një kohë të gjatë që po e presin publikimin e albumit të katërt të kantautores së njohur britanike. Incizimet e saja të kaluara, “19”, “21” dhe “25”, që të gjitha kishin arritur të pozicionohen në maje të toplistave muzikore anembanë botës, përfshirë këtu toplistën e 200 albumeve më të mira “Billboard”.

Këngëtarja 33-vjeçare nuk ka lansuar album nga viti 2015 dhe pavarësisht faktit se i ka kaluar vjetët e fundit duke u fokusuar tek vetja, pas shkurorëzimit nga bashkëshorti, Simon Konecki, ajo është e lumtur që po i rikthehet muzikës me albumin “30”.

Adele konsiderohet një nga artistet më fitimprurëse dhe shquhet për baladat muzikore të shndërruara në hite anembanë botës.