Showbiz

Jason Momoa ka rezultuar pozitiv me COVID-19

Foto: AP/Associated Press

Ylli i njohur hollywoodian, Jason Momoa, pas testimit ka rezultuar pozitiv me koronavirus.

Aktori 42-vjeçar është vetizoluar me mikun e tij sportist, Erik Ellington, në shtëpinë e tij në Britani të Madhe, çka do të thotë se xhirimet e filmit të ardhshëm “Aquaman and the Lost Kingdom” janë pezulluar, derisa ai ta përfundojë periudhën e karantinës.

Momoa mendon se është infektuar me këtë virus gjatë kohës sa po e promovonte filmin, “Dune”.

Përmes një videoje të postuar në Instagram, aktori tha: “Jam prekur me COVID-19 pas premierës së filmit ‘Dune’. Kam takuar shumë persona gjatë vizitës në Britani të Madhe dhe jam përshëndetur me njerëz të ndryshëm, kështu që nuk di nga kush e kam marrë virusin”.

Ylli i serialit “Game of Thrones” i siguroi fansat që është në gjendje të mirë shëndetësore, dhe shprehi mirënjohje për urimet e mira që i ka marrë nga të gjithë.

Momoa i cili e ka vajzën, Lola dhe djalin Nakoa-Wolf me bashkëshorten, Lisa Bonet, e pranoi se kjo diagnozë e ka penguar t’i ndajë disa lajme interesante me fansat e tij.

Së fundmi, Jason tregoi se portretizimi i një roli kaq kërkues nga ana fizike, i ka shkaktuar probleme të shumta trupore për shkak të moshës së tij. Ai ka bërë të ditur se i ka lënduar keq sytë, i ka thyer brinjët dhe së shpejti do të duhet të operohet.