Showbiz

Adele ka kërkuar mendim nga reperi Drake për albumin e ri

Ylli i muzikës, Adele, ka treguar së tashmë ia ka prezantuar albumin e saj të ardhshëm “30”, reperit të njohur kanadez, Drake, kjo pasi ka dashur ta marrë vlerësimin e tij rreth këngëve të këtij incizimi.

Këngëtarja britanike po bëhet gati ta publikojë albumin e ri muzikor më 19 nëntor të këtij viti, përmes studios incizuese “Columbia Records”.

Në një intervistë të fundit për radio “Capital FM” përmes së cilës e promovoi lansimin e këngës së re me titull “Easy On Me”, Adele tregoi se reperi me famë botërore, Drake, tashmë e ka dëgjuar albumin “30”.

“Ia kam prezantuar atë mikut tim Drake, diku vitin e kaluar kur ai ishte në Londër. E pyeta nëse i dukej se ishte një incizim të cilin njerëzit duan ta dëgjojnë nga unë, dhe ai më tha që absolutisht po”

 

 

Ylli i hitit “Hello” sqaroi se ajo nuk ka kërkuar mendim rreth albumit të ri nga njerëz të ndryshëm. Sipas këngëtares, ky album është reflektim i ndjenjave të saj, pasi shquhet si këngëtare e cila shkruan këngë për përvojat e jetës dhe është e sigurt se njerëzit nuk po presin këngë ritmike nga ajo. Kantautorja e famshme beson se me albumin e ardhshëm do t’iu ofroj fansave atë që u ka munguar gjatë kohës sa ajo ka pushuar nga muzika.

Me këngën e re “Easy On Me”, Adele e theu rekordin ekzistues në platformën “Spotify” për këngën më të transmetuar brenda një dite, duke e mundur grupin e Koresë Jugore, “BTS”, të cilët e gëzonin këtë sukses me hitin e tyre “Butter”. Brenda 3 ditëve të lansimit, “Easy On Me” i numëron më shumë se 72 milionë klikime në YouTube.

Ndërkaq, në një intervistë për “BBC Radio 1” të realizuar javën e kaluar, këngëtarja e baladave më të dëgjuara në botë ndër të tjera foli për të ardhmen e saj në industrinë e muzikës, duke thënë se nuk pretendon të merret me këtë profesion përgjithmonë.

Fansat kanë një kohë të gjatë që po e presin publikimin e albumit të katërt të kantautores së njohur britanike. Incizimet e saja të kaluara, “19”, “21” dhe “25”, që të gjitha kanë arritur të pozicionohen në maje të toplistave muzikore anembanë botës, përfshirë këtu toplistën e 200 albumeve më të mira “Billboard”.

Këngëtarja 33-vjeçare nuk ka lansuar album nga viti 2015 dhe pavarësisht faktit se i ka kaluar këta 12 muajt e fundit duke u fokusuar tek vetja, pas shkurorëzimit nga bashkëshorti, Simon Konecki, , ajo duket se është e lumtur të rikthehet në qendër të vëmendjes së publikut.