Showbiz

Paditet grupi U2 për plagjiaturë

Një kantautor dhe kitarist britanik ka paditur grupin e famshëm “U2”, me pretendimin se i ka vjedhur një prej këngëve të tij në albumin hit të vitit 1991, “Achtung Baby”.

Në padinë e depozituar në një gjykatë të Manhattanit, Paul Rose kërkon një dëmshpërblim prej të paktën 5 milionë dollarësh nga vokalisti i “U2”, Bono Vox, dhe pjesëtarët e bendit “The Edge”, Adam Clayton dhe Larry Mullen Jr., sikurse edhe nga shtëpia diskografike “Island Records”.

Artisti britanik, autor i disa albumeve, thotë se kënga “The Fly” e bendit irlandeze kishte disa elemente kyçe të këngës së tij “Nae Slappin”.

Vjedhja, sipas tij ka ndodhur në një kohë kur “U2”, dikur një prej grupeve më popullore të muzikës “Rock”, po tentonte një shkëputje nga stili që e karakterizonte.

Rose pretendon se i kishte dhënë shtëpisë diskografike “Island Record” një version të papërpunuar të “Nae Slappin”, në të njëjtin vit kur kompania nënshkroi marrëveshjen me “U2”, dhe se kënga “The Fly” e grupit përfshinte solon e tij me kitarë dhe elemente të tjerë.

Përfaqësuesit e grupit irlandez apo shtëpisë diskografike nuk kanë reaguar ende ndaj këtyre deklaratave, e megjithatë mbetet e paqartë se përse Rose priti 26 vite për të ngritur padinë.