Showbiz

Coldplay planifikon prodhim të energjisë nga kërcimi i fansave në turneun e ardhshëm

Turneu i ardhshëm i grupit të famshëm Coldplay do të përbëhet nga një pistë kërcimi e cila do të prodhojë energji kur fansat të kërcejnë poshtë e lartë.

Kjo do të jetë pjesë e planit 12 pikësh për të zvogëluar gjurmët e karbonit, dy vjet pasi bendi u zotua se nuk do të zhvillone më turne deri sa të arrinin të bënin diçka të tillë, në mënyrë më të qëndrueshme.

Vokalisti i grupit, Chris Martin ka folur për herë të parë për këto plane, në një intervistë për BBC-në. Martin ka treguar rreth planeve që fansat gjatë turneut të jenë të vendosur në një “pistë kinetike të vallëzimit”.

“Kur ata lëvizin, do të prodhohet energji për koncertin”, ka thënë Martin.

Sipas tij, gjatë turneve do të ketë të vendosura edhe biçikleta të cilat e bëjnë po ashtu të njëjtën gjë.

“Sa më shumë që lëvizin njerëzit, aq më shumë ndihmojnë. E dini kur vokalisti thotë: Kërceni, kërceni”. Dhe kur do ta them këtë, unë do ta kem me të vërtetë, sepse nëse nuk lëvizni, atëherë dritat fiken”, ka shpjeguar Martin.

Coldplay ka planifikuar po ashtu që të mbjellë një pemë për secilën tiketë të shitur.

Gjatë turneut të tyre të fundit, në vitet 2016-2017, Coldplay janë paraqitur para 5,4 milionë fansave në mbarë botën. Kjo e ka bërë atë një prej turneve më të mëdha të të gjitha kohërave, pasi fitimet e tij kanë shkuar në më shumë se 500 milionë dollarë.

Ndërkohë Chris e ka pranuar se do të ketë reagime të ashpra për disa nga aktivitetet e grupit.

Bendi i famshëm britanik ka njoftuar për turneun e ri të martën, duke bërë të ditur se ai do të nisë në muajin mars në Costa Rika, vend ky i cili ka një prej normave më të larta të prodhimit të energjisë së rinovueshme në botë.

Koncertet do të përdorin energjinë elektrike nga bateritë, të cilat do të furnizohen nga energjia e fansave e po ashtu nga energjia diellore.