Showbiz

Debutim i mirë i filmit “No Time To Die” në arkat filmike të Amerikës Veriore

Descriptive Text

Filmi i fundit që e sjell aktorin Daniel Craig në rolin e agjentit James Bond, i ka arkëtuar 56 milionë dollarë në javën e parë të shfaqjes nëpër kinematë e Amerikës dhe Kanadasë.

Pas 18 muaj vonese të lansimit si pasojë e pandemisë, “No Time to Die”, më në fund debutoi në arkat filmike të Amerikës Veriore. Dhe projekti në të cilin aktori britanik, Daniel Craig, për herë të fundit e portretizon agjentin 007, arriti t’i fitojë gjithsej 56 milionë dollarë nga shitja e biletave brenda një jave të vetme. Kështu, “No Time To Die” me lehtësi arriti të pozicionohet në vendin e parë të arkave filmike.

Megjithëse nuk arriti ta thyej ndonjë rekord shikueshmërie të pandemisë apo filmave të kaluar, “James Bond”, kjo prapë konsiderohet një performancë e suksesshme e projektit nëpër kinema dhe e shënon hapjen e katërt të mirë në serinë e 25 filmave ikonik, që e ekranizojnë historinë e agjentit më të famshëm të botës.

Filmat e mbushur me skena aksion gjithmonë e kanë pasur një audiencë të personave më në moshë, të cilët nuk nguten për të shkuar qysh në javët e para të lansimit për ta shikuar atë nëpër kinema. Në fakt, hapja më e mirë e një filmi me James Bondin nuk arriti ti fitojë as 100 milionë dollarë nga shitja e biletave. Filmi me debutimin më të mirë është ai i vitit 2012, “Skyfall”, i cili i arkëtoi gjithsej 88.4 milionë dollarë.

Cary Joji Fukunaga e ka bërë regjinë e “No Time To Die” ku luajnë edhe aktorë tjerë të famshëm, si Lea Seydoux, Ben Whishaw, Naomie Harris, Ana de Armas, Lashana Lynch dhe Rami Malek. Si kritikët ashtu edhe publiku kanë pasur vlerësime pozitive rreth projektit. Ndryshe nga shumë filma të publikuar gjatë pandemisë, për “No Time To Die” asnjëherë nuk ishte konsideruar ndonjë lansim hibrid. Pra, ky projekt është krijuar për t’u shikuar në kinema dhe jo në platforma digjitale.

Përveç se ky është filmi më i gjatë i Bondit, me kohëzgjatje prej 2 orë e 43 minuta, ai ishte gjithashtu filmi më i shtrenjtë me një buxhet të realizimit prej 250 milionë dollarësh. Dhe kjo pa e përfshirë koston e marketingut, çka thuhet se e tejkalon shumën e 100 milionë dollarëve.

Por tradicionalisht, fitimet më të mëdha filmat me agjentin 007 i shënojnë në arkat filmike botërore. Nëpër kinematë ndërkombëtare,

“No Time To Die”, filloi së shfaquri nga 28 shtatori, ku deri më tani ka arritur t’i arkëtojë 313.3 milionë dollarë.

Aktualisht, filmi me hapjen më të mirë gjatë pandemisë në arkat filmike të Amerikës Veriore mbetet, “Venom: Let There Be Carnage”, me 90 milionë dollarë të fituara në javën e parë të shfaqjes. Këtë javë, projekti i bazuar në Universin Kinematik Marvel i cili po ashtu është lansuar ekskluzivisht nëpër kinema, pozicionohet në vendin e dytë falë 32 milionë dollarëve të arkëtuara ekstra. Kurse nga shfaqja nëpër kinematë ndërkombëtare, “Venom 2”, i ka fituar gjithsej 185.6 milionë dollarë.

Në këtë film, Tom Hardy e përsërit rolin e protagonistit Venomit krahas personazhit të keq Carnage, i cili në këtë vazhdim portretizohet nga aktori Woody Harrelson. Krahas tyre në film luajnë edhe aktorë tjerë yje, si Stephen Graham, Naomie Harris dhe Michelle Williams.