Showbiz

Kristen Stewart foli për portretizimin e Princeshës Diana në filmin “Spencer”

Descriptive Text

Aktorja amerikane, Kristen Stewart, e ka përshkruar Princeshën Diana si një prej njerëzve më të panjohur në histori.

Ylli 31-vjeçar i kinematografisë e portretizon princeshën e ndjerë britanike në filmin e ardhshëm, “Spencer”, dhe së fundmi ka folur për faktin se sa shumë i ishte dashur të hulumtojë, për t’u përgatitur për rolin dhe për të arritur ta kuptojë këtë karakter.

“Ekzistojnë materiale kontradiktore të bazuara në fjalë të njerëzve. Ajo nuk i thoshte gjithmonë të njëjtat gjëra nëpër intervista. Pra, shumica e fakteve që publiku i din për të, janë të një natyre të paqëndrueshme. Për fat të keq dhe për ironi, Diana është një prej personave më të panjohur në histori, kurse gjithçka që ajo donte, ishte të jetë sa më afër njerëzve dhe të ishte vetvetja”, ka deklaruar Stewart për revistën “Entertainment Weekly”.

Tutje, aktorja ka thënë se e kupton që jo të gjithë do të mendojnë se portretizimi i saj i Dianas ishte i përkryer, por është e bindur se e ka luajtur rolin në mënyrën e duhur.

“I kam kaluar gjashtë muaj duke e studiuar atë dhe duke përthithur çdo informacion dhe karakteristik të saj. Dhe e di që kam arritur ta përvetësoj një lloj energjie që e karakterizonte atë si person. Edhe nëse njerëzit nuk mendojnë se e kam portretizuar në mënyrë të përkryer, është në rregull me mua”.

Derisa ylli i filmave “Twilight” ishte vetëm shtatë vjeçare në kohën kur Princesha Diana vdiq në vitin 1997 në një aksident me veturë, aktorja tha se nuk ka hezituar fare ta pranojë rolin e portretizimit të saj.

“Spencer” e shënoi premierën botërore në kuadër të edicionit të sivjetmë të Festivalit të filmit në Venecie, ndërsa nëpër kinematë e Britanisë së Madhe dhe Amerikës, do të lansohet nga 5 nëntori i këtij viti.

Në përgjithësi, filmi ka marrë Kritika dhe vlerësime pozitive, kryesisht për performancën e aktores hollywoodiane, Kristen Stewart.