Showbiz

“BTS” performoi në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York

Foto: AP/Associated Press

Grupi i njohur nga Korea Jugore, “BTS”, e ka performuar këngën e tyre të re “Permission To Dance”, në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York.

Shtatë anëtarët e bendit të muzikës K-pop të cilët së fundmi u emëruan të dërguar special të OKB-së për brezat dhe kulturën e ardhshme, e dhanë një fjalim në asamble para se ta interpretonin këngën që u xhirua brenda ndërtesës së famshme. 

Në fjalimin e tyre “BTS” deklaroi: “Është një nderë për ne të jemi këtu. Ne jemi grupi ‘BTS’, të emëruar si të dërguar special presidencial të Republikës së Koresë. Ndodhemi sot këtu për t’i ndarë me ju tregimet e gjeneratave të së ardhmes. Para se të vinim këtu i kemi pyetur të rinjtë anembanë botës për dy vjetët e fundit, dhe botën ku e gjejnë veten sot. Mendojmë që në vend se të quhemi ‘gjenerata e humbur’, një term më i përshtatshëm do të ishte ‘gjenerata e mirëpritur’. Sepse në vend që t’i frikësohet ndryshimit, kjo gjeneratë tregohet mikpritëse dhe vazhdon të ecë përpara”. 

Tutje në fjalimin e tyre, këngëtarët folën edhe për rëndësinë e vaksinimit. 

“Ne mendojmë se dita kur mund të takohemi përsëri ballë për ballë nuk është larg. Gjithashtu besojmë se çdo zgjedhje që bëjmë është fillimi i ndryshimit. Shpresojmë që në këtë botë të re të gjithë të mund t’i themi njëri-tjetrit: ‘Mirë se vini!’”.

Kjo është hera e tretë që grupi i famshëm jep fjalim në Kombet e Bashkuara, pas rasteve të kaluara në vitin 2018 dhe 2020.

Ngjarja ishte pjesë e programit të Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm në OKB, dhe synon t’ua siguroj udhëheqësve botërorë një platformë për t’i prezantuar planet, veprimet dhe zgjidhjet që nevojiten për t’i dhënë fund pandemisë COVID-19.

Ndërkohë, së fundmi “BTS” e paralajmëroi koncertin virtual me titull “Permission To Dance On Stage”, i cili do të mbahet më 24 tetor dhe pritet të jetë një ngjarje shumë e ndjekur anembanë botës. Ky do të jetë koncerti i parë online i grupit për vitin 2021. 

Para pak ditësh, yjet e muzikës K-Pop dhe ata të muzikës rok, “Coldplay” e konfirmuan bashkëpunimin e tyre të parë rreth këngës, “My Universe”. Videoprojekti i cili lansohet më 24 shtator, do të interpretohet në gjuhën koreane dhe angleze, dhe do të jetë pjesë e albumit të ardhshëm të “Coldplay”, me titull “Music Os The Spheres” . 

Në këta muajt e fundit, “Coldplay” dhe “BTS”, kanë shfaqur publikisht admirim për njëri-tjetrin. Yjet e hitit “Dynamite” e interpretuan këngën “Fix You” të grupit “Coldplay”, në një paraqitje speciale për “MTV Unplugged” ku edhe deklaruar se kjo ishte një këngë domethënëse për ta, pasi i ka ndihmuar ata t’i kalojnë disa momente të vështira në karrierë. 

Bendi i njohur për hite të shumta të muzikës rok, pop, indie dhe rok alternativ, përmes rrjeteve sociale e lavdëruan grupin “BTS” si dhe para disa muajve, ua rekomanduan ndjekësve që ta dëgjojnë hitin e tyre, “Butter”. 

Vokalisti i “Coldplay”, Chris Martin, po ashtu kishte deklaruar se ka shumë respekt dhe dashuri për megayjet nga Korea Jugore, dhe që me shumë dëshirë do të pranonte të bashkëpunojë me këtë grup.