Showbiz

Babai i Britneyt thotë se s’ka bazë për largimin e tij nga kujdestaria

Babai i Britney Spearsit ka deklaruar të premten në një paraqitje në gjykatë se “nuk ka bazë” për largimin e tij nga kujdestaria që ka mbi të bijën, përmes së cilës ia kontrollon asaj punët dhe paratë.

James Spears “ka shërbyer me besnikëri si ruajtës i pasurisë së vajzës së tij pa asnjë njollë në regjistrin e tij”, u tha në seancë.

Në seancë po ashtu u theksua se profesionistja e caktuar nga gjykata Jodi Montgomery, e cila mbikëqyr vendimet e jetës së Britney Spears, ndërsa babai i saj merret me paratë e saj, e thirri atë, i shqetësuar, muajin e kaluar, dhe kërkoi ndihmën e tij me problemet e shëndetit mendor të vajzës së tij.

Mirëpo, Montgomery dhe avokati i saj deklaruan në përgjigje, se James Spears "keqinterpretoi dhe manipuloi" thirrjen për ta përdorur atë në avantazhin e tij.

Image
Një përkrahëse e Britney Spears valëzon një flamur "Lironi Britneyn" jashtë një seance gjyqësore në lidhje me kujdestarinë e këngëtares pop në Gjykatën e Stanley Mosk, të Mërkurën, 23 Qershor 2021.

Paraqitja e James Spearsit në gjykatë erdhi si përgjigje ndaj dokumenteve të gjykatës të paraqitura një ditë më parë nga avokati i ri i Britney Spears, Matthew Rosengart, i cili kërkoi një seancë urgjente për ta pezulluar atë nga kujdestaria.

Por babai i Britneyt, James Spears tha se Rosengart "nuk mund të specifikojë se çfarë është keqbërja" për të nxitur një pezullim të tillë.

James Spears u tërhoq nga pjesa e kujdestarisë që kontrollon vendimet e jetës së vajzës së tij në vitin 2019, me Montgomeryn e cila mori përsipër këtë aspekt, megjithëse statusi i saj zyrtar mbetet i përkohshëm.

Akuzat e bëra nga Britney Spears në seancat në qershor dhe korrik, që duket se kanë nxitur thirrjen e Rosengart për largimin e babait të saj, duke përfshirë "akuzat serioze në lidhje me trajtimin dhe terapinë e detyruar mjekësore, kujdesin e papërshtatshëm mjekësor dhe kufizimet në të drejtat personale", janë "të paprovuara" dhe përfshijnë çështje që kanë qenë prej kohësh përgjegjësi e Montgomery, jo e tij, tha dosja e Jamie Spears.

Ndërkohë këngëtarja e famshme amerikane 39-vjeçare ka deklaruar javë më parë se nuk do t’u rikthehet performancave në skenë, derisa babai i saj ka nën kontroll gjithçka që ajo bën.