Showbiz

Adele mund ta shënojë rikthimin në skenë me një sërë koncertesh në Las Vegas

Foto: AP/Associated Press

Kantautorja e njohur britanike, Adele, mund ta shënojë rikthimin në skenë së shpejti, me organizimin e disa koncerteve në Las Vegas, të cilat planifikohet të zënë vend vitin e ardhshëm.

Ylli i hitit “Hello” besohet se është e gatshme t’i bashkohet listës së legjendave të muzikës që kanë performuar për fansat në Las Vegas, të tillë si Sir Elton John, Mariah Carey dhe Lady Gaga. Ajo do t’i mbajë disa performance në lokacionin e famshëm turistik “Las Vegas Strip”.

Disa burime kanë bërë të ditur për gazetën “The Sun”, se Adele është në negociata për të arritur marrëveshje bashkëpunimi me ndërtesën më të re në qytetin e dritave, “Resorts World”, ku këngëtarja do të mund t’i fitojë rreth 100 mijë funte brenda natës.

“Resort World” tashmë ka mirëpritur performues të njohur të skenës muzikore, përfshirë yjet Celine Dion, Katy Perry dhe Carrie Underëood, dhe thuhet që Adele do të jetë artistja e radhës që do të kujdeset për argëtimin e klientëve në këtë resor, nga janari i vitit të ardhshëm.

Koncerti i fundit i organizuar nga këngëtarja e famshme britanike ishte në qershor të vitit 2017, kur ajo doli në skenë për të performuar para 97.500 adhuruesve në stadiumin “Wembley”, dhe nëse nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për të performuar në Las Vegas, ajo do të ketë rastin të performojë për 5 mijë persona çdo natë.

Spekulimet rreth koncerteve të Adeles në Las Vegas, vijnë në kohë kur fansat e saj po e presin me padurim lansimin e albumit të saj të ri.

Ylli britanik duket se ka vendosur që në albumin e saj të ardhshëm, t’i eksplorojë përjetimet e vjetëve të fundit në jetën e saj personale.

Këngëtarja 33-vjeçare nuk ka lansuar album nga viti 2015 kur e publikoi incizimin me titull “25”, dhe pavarësisht faktit se i ka kaluar këta 12 muajt e fundit duke u fokusuar tek vetja, pas shkurorëzimit nga bashkëshorti, Simon Konecki, këngëtarja duket se është e lumtur të rikthehet në qendër të vëmendjes së publikut.

“Adele ka qenë shumë e zënë duke u fokusuar në shëndetin e saj fizik dhe mendor, si dhe ka kaluar muaj të tërë në studio incizuese duke e realizuar albumin e saj të ri”, ka deklaruar një burim i afërt me këngëtaren britanike.

Ylli i muzikës i lindur në Londrës, mezi pret që fansat e saj besnik t’i dëgjojnë këngët e reja. Besohet se albumi do të publikohet së shpejti dhe disa nga këngët e tij, duket se janë inspiruar nga ndarja e saj nga bashkëshorti me të cilin e ka djalin tetë vjeçar, Angelo.

Adele është një nga artistet më fitimprurëse dhe shquhet për baladat muzikore, të shndërruar në hite anembanë botës.