Showbiz

Filmi “Jungle Cruise” me premierë speciale dhe argëtuese

Foto: AP/Associated Press

Yjet e njohur të kinematografisë, Dëayne Johnson dhe Emily Blunt, arritën mbi qilimin e kuq të shtruar me rastin e premierës së filmit të tyre të ri aksion dhe aventurë, “Jungle Cruise”. Ngjarja zuri vend të dielën në parkun e lojërave “Disneyland”, në Anaheim të Kalifornisë.

Aktorët e famshëm kanë pritur tri vjet të gjata për lansimin e filmit të tyre me buxhet të lartë, i cili zanohet në njërën prej lojërave të popullarizuara të këtij parku argëtues. Por pas vonesave të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit, Blunt dhe Johnon, u shprehën të kënaqur që janë rikthyer në vendin më të lumtur në botë.

“Ky është vendi më i lumtur në botë dhe mendoj që secili person ka nevojë për pak gëzim dhe harmoni për t’ua ndrequr disponimin, dhe filmi ynë e përfaqëson pikërisht këtë. Është i mbushur me momente nostalgjie. Është një prej atyre filmave të cilët i ke shikuar në fëmijëri, prandaj është e nevojshme të jesh në një vend sikur ky, që është po aq nostalgjik sa vet filmi. Prandaj e kemi këtë ndjesi të përkryer. Edhe teksa shëtisnim nëpër këtë vend gjatë ditës së djeshme, ndiheshim të prekur dhe të emocionuar. Është vërtetë një gjë shumë cool ta shënojmë premierën e filmit këtu”, tha Blunt para gazetarëve të pranishëm në premierë

“Dje kemi shëtitur nëpër këtë vend dhe ishte një eksperiencë e mahnitshme. Shkuam tek amfiteatri që gjendet këtu dhe mund ta ndjeje emocionin dhe gëzimin që e sjellë kompania apo brendi ‘Disney’, dhe të gjithë personat që punojnë këtu. Thjeshtë njerëzit duan t’i kthehen filmave dhe të shkojnë nëpër kinema për të shikuar filma të mirë. Me të vërtetë mund ta ndjesh këtë gjë”, shtoi tutje Dwayne Johnson, ndryshe I njohur me nofkën “The Rock”.

Dhe sipas dy aktorëve të njohur hollywoodian, lokacioni i premierës së filmit të tyre ishte mjaft i rëndësishëm.

“Epo gjithçka po duket shumë bukur dhe ta jep një ndjesi të ngrohtë dhe mikpritëse. Përshtatet shumë mirë me filmin. Ka këtë ndjenjën e çuditshme të modës së vjetër dhe është vërtet bukur. Jam shumë e lumtur”, tha aktorja.

“Ne e kemi realizuar filmin para disa vjetësh, dhe me shpërthimin e pandemisë u detyruam ta shtyjmë lansimin e tij për ca kohë. Por, atëkohë mendonim se jemi duke realizuar diçka të veçantë dhe një projekt të cilin njerëzit do të pëlqejnë vërtetë dhe do ta shijojnë. Në veçanti adhuruesit e parkut të lojërave ‘Disney’. Shpresoj të jetë kështu, por mendoj se e kemi realizuar një film të mirë”, shtoi tutje Johnson.

“Jungle Cruise” e rrëfen historinë e kapitenit të mençur Frank Wolff dhe studiueses së guximshme Dr. Lily Houghton, të cilët në film portretizohen nga Johnson dhe Blunt. Lily udhëton nga Londra për në xhunglën e Amazonës dhe e angazhon Frankun, i cili e posedon një anije të quajtur “La Quila”, si udhërrëfyes në misionin e saj nëpër lum. Lily është e vendosur ta zbulojë një pemë antike me aftësi shëruese të pashembullta, e që njëkohësisht zotëron fuqinë për të ndryshuar të ardhmen e mjekësisë. Të përfshirë në këtë kërkim epik së bashku, dyshja has në rreziqe të panumërta dhe forca të mbinatyrshme, të cilat fshihen në bukurinë mashtruese të pyjeve të harlisura. Por ndërsa sekretet e pemës së humbur shpalosen, rreziqet rriten edhe më shumë për Lilyn dhe Frankun. Kështu fati i tyre dhe i gjithë njerëzimit mbetet pezull.

Në këtë aventurë të bukur por edhe të rrezikshme, Lily shoqërohet edhe nga vëllai i saj MacGregor, i portretizuar në film nga aktori britanik Jack Whitehall, i cili pa dashje shndërrohet në asistent të misionit të motrës së tij.

“Ky vend është shumë i veçantë dhe i takon një niveli tjetër. Unë kurrë më parë nuk kam qenë në një vend të këtillë, dhe duket si lokacioni i përkryer për ta lansuar filmin tonë që e gjithë bota ta shohë atë. Natyrisht kjo njihet si loja origjinale e njohur me emrin ‘Jungle Cruise’ që ishte ndër atraksionet e para të krijuara për parkun ‘Disney’ në vitin 1955, dhe tani jemi kthyer këtu pas kaq shumë vjetësh, për ta shndërruar atë në një film. Kjo gjë më duket diçka shumë e veçantë” ka deklaruar aktori Whitefall.

Edhe regjisori i filmit, Jaume Collet-Serra, tregoi se është gëzuar shumë kur ka kuptuar që “Disney”, e ka aprovuar kërkesën e tyre për ta mbajtur premierën në parkun e njohur të lojërave.

“Është një ndjenjë e veçantë. Ishte një befasi e këndshme kur kompania ‘Disney’ na tha se do ta mundësonin ta shfaqnin premierën e filmit këtu. Ka kaluar kohë e gjatë prej se kanë organizuar ngjarje të këtilla, prandaj nuk mund ta besoja se kjo gjë po ndodhte me të vërtetë. Është një eksperiencë e mrekullueshme për të gjithë ne, veçanërisht marrë parasysh faktin se çfarë ka ndodhur së fundmi me pandeminë. Dhe të kesh mundësi sërish t’i shohësh njerëzit duke u kthyer në kinema në një vend kaq special, ishte një ëndërr e shndërruar në realitet”, deklaroi regjisori i filmit.

Në film po ashtu luajnë aktorët Edgar Ramirez, Veronica Falcon, Jesse Plemons dhe Paul Giamatti.

“Jungle Cruise” lansohet nëpër kinema dhe në platformën “Disney+”, nga 30 korriku.