Showbiz

Diskualifikohet gjyqtari i divorcit Jolie-Pitt, kishte lidhje me avokatët e aktorit

Një Gjykatë e Apelit në Kaliforni ka skualifikuar një gjyqtar në rastin e Angelina Joliet dhe Brad Pittit, duke i dhënë kështu Joliet një fitore të madhe.

Gjykata është pajtuar me aktoren e famshme hollivudiane se gjyqtari John W.Ouderkirk nuk zbuloi sa duhet marrëdhëniet e biznesit me avokatët e Pittit.

“Shkelja etike e gjyqtarit Ouderkirk, e konsideruar së bashku me informacionin e zbuluar në lidhje me marrëdhëniet e tij të fundit profesionale me mbrojtësin e Pittit, mund të shkaktojë në mënyrë të arsyeshme një dyshim në lidhje me aftësinë e gjyqtarit për të qenë i paanshëm. Kërkohet skualifikimi”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Vendimi nënkupton se beteja për kujdestarinë e pesë fëmijëve të çiftit, për të cilën ishte gati të vendosej, do të nisë nga fillimi.

Gjykata kishte vendosur që çifti të divorcohej mirëpo kishte ndarë çështjen e kujdestarisë së fëmijëve.

Jolie 46-vjeçare dhe Pitt 57-vjeçar ishin një prej çifteve më me zë në Hollivud për 12 vjet. Ata kanë qenë të martuar për dy vjet, kur Jolie kishte aplikuar për divorc në vitin 2016. Ata janë deklaruar të divorcuar në prill të vitit 2019.