Showbiz

Britney Spears humb betejën rreth kujdestarisë

Gjykatësja, Brenda Penny, ka refuzuar t’ia heqë kujdestarinë Jamie Spearsit, por e ka shtuar “Bessemer Trust” si bashkëkujdestar të pasurisë shumëdollarëshe të yllit. Avokatët e Jamie Spearsit kanë kërkuar nga gjykata që t’i nisen hetimet për pretendimet e bëra nga këngëtarja për abuzim

Një gjykatëse amerikane e ka hedhur poshtë kërkesën e yllit të muzikës pop, Britney Spears, për ta hequr babanë e saj nga kujdestaria kundërthënëse mbi jetën dhe karrierën e saj.

Avokati i këngëtares kishte kërkuar nga një gjykatë në Los Angeles që t’i japë fund kontrollimit të pasurisë së saj nga Jamie Spears, në nëntor të vitit të kaluar. Ka thënë se ylli i frikësohet babait të saj dhe donte që ta largonte nga kujdestaria – një rol ky të cilin ai e ka mbajtur që nga viti 2008.

Ndonëse kërkesa është refuzuar, vendimi nuk është përgjigje ndaj dëshmisë eksplozive të Spearsit në gjykatë, javën e kaluar. Duke folur për 23 minuta, ylli amerikan i popit ka thënë se është droguar, është detyruar të performojë kundër vullnetit të saj dhe i është ndaluar që të ketë fëmijë.

Hetimet rreth pretendimeve për abuzim

“Thjesht ma ktheni jetën time”, kishte thënë ajo në një adresim me video-lidhje, teksa po kërkonte nga gjykata që t’i jepte fund kujdestarisë. Sidoqoftë, gjykata nuk mund të vendosë duke u bazuar në deklaratën e saj, derisa ajo ta dorëzojë një kërkesë formale për t’i dhënë fund kujdestarisë. Dokumentet e dorëzuara të mërkurën i referohen vetëm kërkesës së nëntorit, me anë të së cilës Spears kishte kërkuar që firma që menaxhon pasuritë “Bessemer Trust” të jetë kujdestari i saj i vetëm.

Gjykatësja, Brenda Penny, ka refuzuar t’ia heqë kujdestarinë Jamie Spearsit, por e ka shtuar “Bessemer Trust” si bashkëkujdestar të pasurisë shumëdollarëshe të yllit. Avokatët e Jamie Spearsit kanë kërkuar nga gjykata që t’i nisen hetimet për pretendimet e bëra nga këngëtarja për abuzim.

Çfarë pretendoi Britney?

Vendimi vjen një javë pasi këngëtarja e hitit “Baby One More Time” e ka akuzuar babain e saj për kujdestari “abuzive”, që ia ka kontrolluar jetën për 13 vjet. Ajo ka thënë para trupit gjykues se është traumatizuar dhe ka qarë çdo ditë, duke shtuar: “Meritoj ta gëzoj jetën time”. Ylli ka thënë gjithashtu se i është mohuar e drejta për të pasur fëmijë dhe kishte përdorur ilaçin e litiumit kundër vullnetit të saj.

Çfarë pretendon babai i saj?

Avokatët e Jamie Spearsit kanë mohuar se ai ka qenë përgjegjës për kufizimet në jetën private të së bijës. Përderisa 68-vjeçari e ka mbikëqyrur pasurinë për 13 vjet, në fakt nuk e ka pasur në kontroll jetën e saj personale që nga shtatori i 2019-s, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Ai është zëvendësuar përkohësisht nga Jodi Montgomery.

Të martën, avokatët e Spearsit kërkuan nisjen e hetimeve për dëshminë e vajzës së tij.

“Ose do të tregohet se pretendimet janë të vërteta dhe në këtë rast duhet të ndërmerren veprimet e duhura, ose ato do të dalë së janë të rreme dhe në këtë rast do të vazhdojë kujdestaria”, kanë thënë ata një proces gjyqësor.

Avokatët e Spearsit kanë thënë se ai nuk kishte ndërmend të kthehej si kujdestar personal i vajzës së tij, por kanë thënë se ishte “shqetësuar” për shëndetin e saj. Ata kanë shtuar: “Spears nuk është në gjendje të dëgjojë dhe adresojë shqetësimet e vajzës së tij drejtpërdrejt sepse i është ndërprerë komunikimi me të”.

Britney Spears ka marrë mbështetjen e shumë yjeve, përfshirë edhe ish të dashurin e saj Justin Timberleke. “Asnjë gruaje nuk duhet t’i ndalohet të marrë vendime për trupin e saj”, është shprehur ai.