Showbiz

Prejardhja kosovare në fokus të intervistës së Dua Lipës për revistën “Vanity Fair”

Sensacioni i fundit në skenën botërore të muzikës pop, Dua Lipa, e ka hijeshuar ballinën e numrit të ri të revistës “Vanity Fair”.

Me një set elegant të fotografive të përfshira në këtë revistë, Lipa e ka dhënë edhe një intervistë ekskluzive ku ka folur për tema të shumta, përfshirë këtu prejardhjen nga Kosova dhe vitet e hershme të jetës në Prishtinë.

Lipa u lind në vitin 1995 në Londër, tri vjet pasi prindërit e saj, Dukagjini dhe Anesa, emigruan nga Prishtina për në Britani të Madhe. Edhe pse lufta e cila e shndërroi Kosovës në çështje interesi anembanë globit nuk filloi deri në viti 1998, Prishtina në vitin 1995 tashmë ishte një vend i vështirë për të jetuar për shumicën e shqiptarëve. Gjyshi i Duas, Seit Lipa, ishte udhëheqës i Institutit për Historinë e Kosovës në kohën kur ligjet serbe synonin ta mbyllin punën e këtij institucioni. Më vonë, një reporter special i Kombeve të Bashkuara e quajti këtë veprim një shkelje e të drejtave të njeriut.

Në Londër, ku familja e saj iu bashkua një komuniteti në rritje nga Kosova që kishin emigruar drejt këtij vendi, prindërit e këngëtares së famshme flisnin shqip me fëmijët e tyre, dhe i rrisnin ata duke i vetëdijesuar vazhdimisht për kulturën e vendit të prejardhjes. Dukagjin Lipa është muzikant dhe Dua fëmijërinë e kujton të mbushur me art dhe muzikë.

“Gjithçka në shtëpinë tonë bëhej sipas traditave shqiptare, kurse kulturën angleze e merrja në shkollë. Kisha shumë familjarë në Kosovë, por për shkak të situatës politike dhe faktit se nuk kishim mundësi të ktheheshim atje, unë nuk e kisha takuar një pjesë të madhe të familjes”, ka deklaruar Lipa.

Por sërish, Dua gjithnjë e dinte se e ka edhe një vend ku një ditë mund të kthehej dhe ishte shumë e lumtur kur prindërit bashkë me motrën e dhe vëllain e saj të vogël, Rina dhe Gjini, u zhvendosën në Kosovë kur këngëtarja ishte vetëm 11-vjeçare.

“Po rikthehesha në një vend të cilit ndjeja se i takoja. Ishte shumë emocionuese për mua të shkoja në një vend i cili në njëfarë mënyrë ndjeja se do të ishte më normal”.

Në Prishtinë, Dua pati vështirësi të adaptohej pasi e kuptoi se ende nuk e dinte gjuhën aq mirë, dhe si pasojë kishte hasur në vështirësi në shkollë dhe merrte nota të ulëta. Ajo gjithashtu kishte filluar që përmes miqve të saj, të mësojë më shumë për konfliktin në regjion.

“Këto histori qëndrojnë me ty përgjithmonë. Njerëzit që kosovarët i kanë humbur gjatë luftës, numri i madh i miqve të mi të cilët i kishin humbur baballarët apo anëtarët e tjerë të familjes për shkak të dhunës së ushtruar ndaj tyre, fakti se si ata ishin larguar me dhunë nga shtëpitë, ishte shumë prekëse t’i mësoje këto gjëra në moshë aq të re”.

Lipa thotë se koha që e ka kaluar duke jetuar në Prishtinë, ka luajtur rol kyç në krijimin e bindjeve të saja politike. Edhe pse muzika e saj nuk flet për tema të tilla dhe personaliteti i saj si ylli popit është më cool dhe argëtues, ajo gjithmonë ka qenë e gatshme të anojë në çështje të ndryshme politike të cilat i kanë interesuar, edhe atëherë kur mendimet, fjalët apo veprimet e saj kanë shkaktuar debate anembanë botës. Ata persona që e ndjekin karrierën dhe jetën e saj për së afërmi, e kanë vënë re sa përkrahëse ka qenë për lëvizjen “Black Lives Matter”, sa entuziaste është treguar për votimin e Laboristëve në vitin 2019, dhe sa këmbëngulëse është treguar në festimin dhe nderimin e identitetit të saj shqiptar, pavarësisht reagimeve të herëpashershme negative ndaj mënyrës se si ka zgjedhur ta shprehë atë.

“Kjo erdhi kryesisht për shkak të rrënjëve të mia kosovare, dhe duke dashur ta mbaj një qëndrim mbi prejardhjen time dhe të flas për atë dhe situatën e refugjatëve. Më pas, ngadalë fillova ta kuptojë se si ndodhin politikat e luftës dhe pse aq shumë fëmijë përfundojnë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre. Gjërat buruan nga një përvojë e imja personale, dëshira për të mësuar më shumë dhe përpjekjet e mia për të shërbyer si zë fuqizues për shumë njerëz të tjerë”, ka shtuar tutje Lipa.

Ylli i hitit “New Rules” thotë se është e rëndësishme për të ta shfrytëzojë platformën e saj, të cilën e konsideron në privilegj të vërtetë.

“Derisa profili im si artiste po rritet, veçanërisht në platformat online, ndjej se duhet t’i shfrytëzojë ato për të bërë ndryshim dhe diçka më të mirë se vetëm postimi i fotografive të bukura apo diçka e tillë”.

Dua ishte vetëm 12-vjeçare dhe po e shikonte në televizion në banesën e saj, kur Kosova u shpall shtet i pavarur në shkurt të vitit 2008.

“Më kujtohet gëzimi që prindërit e mi po e përjetonin dhe teksa e dëgjoja gjithë qytetin duke brohoritur kur ndodhi Dita e Pavarësisë”, ka treguar Dua. Por, sërish ajo e ndjente një tërheqje për t’u rikthyer në Londër. Pak vjet më vonë ajo e krijoi një plan për t’u kthyer e vetme në Britani të Madhe. Motivet e saj ishin komplekse, por në thelb, ajo mendonte se kjo ishte mundësia e saj më e mirë për të krijuar karrierë si këngëtare.

Pavarësisht se për një dekadë Kosova kishte përparuar dukshëm, ai vazhdonte të ishte një shtet i ri dhe i izoluar, dhe rrjetet sociale ende nuk ishin zhvilluar deri në pikën kur talentët e rinj mund të zbuloheshin në studio e mëdha muzikore anembanë botës. Lipa tregoi se pak nga pak i kishte bindur prindërit që ta lejojnë të zhvendoset në Londër, dhe përfundimisht ata ishin pajtuar që ajo jetonte në një apartament me një mike të familjes, e cila po studionte në Shkollën Ekonomike të Londrës.

Në moshën 15-vjeçare, këngëtarja e famshme u largua nga Prishtina. Ajo tha se ndoshta do të kishte vendosur të qëndronte atje për të jetuar, nëse depërtimi drejt suksesit në industrinë e muzikës do të ishte I lehtë dhe i qasshëm nga një vend i vogël si Kosova. Sot që e gëzon gjithë këtë sukses, është e qartë për të se e ka marrë vendimin e duhur dhe është e lumtur që është kthyer në Britani të Madhe.

Teksa bisedon me Duan, e kupton se ajo është një person me dy identitete, shqiptare dhe britanike. Nëse të qenit shqiptare nga Kosova është identiteti i saj etnik, të qenit britanike është personaliteti i saj.

Kjo gjë vërehet edhe në gjërat më të vogla që ajo i bënë në jetën e përditshme, por edhe në mënyrën se si e menaxhon famën dhe suksesin e saj.

Të gjithë bashkëpunëtorë e Lipës e vlerësojnë lartë talentin e saj, por edhe personalitetin, etikën e punës, dëshirën për të mësuar, dashurinë ndaj punës dhe modestinë dhe karakterin e ëmbël.

Me dy albume të suksesshme dhe rekordthyese në bagazhin e saj artistik, Dua Lipa, dita e ditës po vazhdon t’i shtrijë rrënjët e saj në tregun e muzikës pop, por ambiciet e këngëtares dukshëm nuk përfundojnë me kaq. Pra, ndërsa projekti i saj i dominimit të botës është ende duke u shpalosur, synimet e Duas për një periudhë të afërt kohore janë pak më konkrete. Ajo dëshiron t’i realizojë edhe dy albume dhe turne muzikorë, gjatë vjetëve të ardhshme. Ajo po ashtu ka filluar ta synojë një karrierë në fushën e aktrimit, si dhe ka dëshirë të fillojë të prodhojë verë. Por muzika vazhdon të jetë fokusi i saj kryesorë.

“Së pari dua të zhvillohem dhe piqem si artiste, para se të vazhdojë me planet e tjera. Tani për tani, thjesht dua të sigurohem që muzika të cilët e prodhojë të jetë e mirë dhe e vlefshme”, ka deklaruar Lipa.

Intervistën e plotë të Dua Lipës për “Vanity Fair” mund ta lexoni në uebfaqen zyrtare të kësaj reviste prestigjioze.

{gallery}