Showbiz

Billie Eilish është duke punuar në një projekt me “BBC”-në

Ylli i njohur i muzikës, Billie Eilish, është duke e realizuar një projekt të veçantë me televizionin “BBC”.

Tom March, bashkudhëheqësi i labelit “Polydor” me të cilin Eilish bashkëpunon, për revistën “Music Week” zbuloi se këngëtarja e shpërblyer me çmim “Grammy” e ka në planprogram realizimin e një projekti me televizionin e njohur, i cili e shoqëron albumin e saj të dytë, “Happier Than Ever”. Incizimi i shumëpritur i yllit amerikan të muzikës lansohet më 30 korrik.

Edhe pse nuk dihen shumë detaje rreth këtij projekti, yje të tillë si Adele, Ariana Grande dhe Harry Styles në të kaluarën kanë realizuar projekte me “BBC”-në .

Këngëtarja 19-vjeçare e cila është shndërruar në mega yll të muzikës, së fundmi i njoftoi fansat se e ka zgjeruar turneun “Happier Than Ever World Tour”, i cili ka për qëllim ta promovojë albumin rekordthyes të vitit 2019, “When We All Fall Asleep, Where Do We Go?”.

Eilish u detyrua ta pezulloj turneun botëror në vitin 2020, për shkak të pandemisë globale. Por tani ajo pritet të rikthehet me koncerte të shumta nëpër Amerikën Veriore, Evropë dhe Britani të Madhe.

Turneu fillon më 3 shkurt të vitit të ardhshëm në New Orleans dhe përfundon me 2 korrik, me një koncert në Zuerich të Zvicrës.

Së fundmi, ylli i hitit “No Time To Die” e pranoi se viti i kaluar ishte bekim dhe në të njëjtën kohë një mallkim për të, por ajo shpreson që e pret një e ardhme më e mirë dhe mezi po pret që adhuruesit ta dëgjojnë muzikën e saj të re.