Showbiz

Doja Cat e lanson këngën e re “Need To Know” në fund të javës

Foto: AP/Associated Press

Ylli i muzikës, Doja Cat e ka paralajmëruar këngën e radhës me titull, “Need To Know”, e cila do të lansohet në fund të javës.

Këngëtarja i ka shfrytëzuar rrjetet sociale për ta bërë të ditur lajmin se kënga e re lansohet të premten, duke e ndarë një klip të shkurtër të këtij projekti me gjithë ndjekësit e saj.

“Need To Know” do të jetë kënga e tretë e lansuar nga Doja Cat gjatë këtij viti, dhe vjen pas videoprojektit të fundit “Kiss Me More” të cilin e solli në bashkëpunim me artisten SZA. Këtë projekt Doja e interpretoi për herë të parë në ceremoninë e sivjetmë shpërblyese, “Billboard Music Awards”, ku ajo u nderua me çmimin “Artistja më e mirë R&B”.

Te dyja këngët e publikuara gjatë vitit, do të përfshihen në albumin e ardhshëm të artistes, “Planet Her”, i cili aktualisht nuk ka datë të konfirmuar të lansimit.

Në fillim të vitit, Doja Cat gjithashtu bashkëpunoi me reperen Saweetie në realizimin e hitit, “Best Friend”, të cilit nga lansimi iu realizuan disa versione remix dhe shënoi suksese të jashtëzakonshme anembanë botës.

Albumi i fundit i artistes Doja Cat, ishte “Hot Pink” dhe u publikua në vitin 2019. I vlerësuar lartë nga kritikët e muzikës, ky incizim u lavdërua për tingujt e ndikuar nga zhanri R&B.