Showbiz

Mariah Carey largohet nga “Roc Nation” pas një debati me reperin Jay-Z

Ylli i njohur i muzikës, Mariah Carey, është duke punuar në një album të zhanrit R&B.

Lajmi për angazhimin e këngëtares në album të ri është zyrtar, pasi ikona e muzikës tashmë e ka shkëputur bashkëpunimin me studion incizuese, “Roc Nation”, pas një diskutimi të ashpër me mogulin e repit, Jay-Z.

Sipas të përditshmes “The Sun”, një burim i afërt ka bërë të ditur se takimi mes dyshes, Carey dhe Jay-Z, ishte eksploziv dhe e detyroi këngëtaren që të largohet nga kjo kompani përgjithmonë.

Carey kishte nënshkruar kontratë bashkëpunimi me “Roc Nation” në vitin 2017, pasi e kishte pushuar nga puna ish-menaxheren e saj, Stella Bulochnikov.

“Mariah dhe Jay së fundmi e kanë mbajtur një takim i cili nuk shkoi aq mirë. Ajo e ka bërë të qartë se nuk dëshiron të punojë më me të dhe e ka ndërprerë marrëveshjen me ‘Roc Nation’. Ajo do të largohet zyrtarisht nga kompania incizuese në javët e ardhshme. Është fatkeqësi sepse këto vjetët e fundit, së bashku ata i kanë bërë disa punë të mrekullueshme. Por ky takim nuk kishte si të përfundonte më keq. Mariah është në bisedime me disa menaxherë të tjerë të muzikës dhe mendon se e ka gjetur dikë, i cili duket se ka besim të plotë në të, teksa e ndërmerr këtë hap të radhës në karrierën e saj. Ajo nuk planifikon ta lërë këtë mosmarrëveshje me reperin, që ta pengojë në punën e saj”, citohet të ketë thënë një burim i afërt me këngëtaren.

Në uebfaqen zyrtare të “Roc Nation”, këngëtarja tashmë është larguar nga lista e artistëve të profilit të lartë të cilët përfaqësohen nga kompania. Në mesin e atyre që vazhdojnë të bashkëpunojnë me studion e famshme incizuese janë: Alicia Keys, Megan Thee Stallion, Rihanna dhe Christina Aguilera.

Carey dhe Jay-Z kanë bashkëpunuar përgjatë vjetëve në hite të tilla si, “Heartbreaker” dhe “Things That U Do”.

Ylli i shpërblyer me disa çmime “Grammy”, Mariah Carey, besohet se tashmë kanë filluar të punojë rreth një albumi të ri të muzikës R&B, dhe gjatë këtij viti do ta mbajë një turne botëror.