Showbiz

Matthew Perry është ndarë nga e fejuara Molly Hurwitz

Ylli i serialit “Friends”, Matthew Perry, i ka dhënë fund fejesës me menaxheren letrare Molly Hurwitz, pas tri vjetësh lidhje dhe vetëm shtatë muaj pasi i propozoi për martesë.

Në një prononcim për revistën prestigjioze “People”, aktori tha: “Nganjëherë gjërat thjeshtë nuk funksionojnë, dhe ky është një rast i tillë. Ia uroj Mollyt gjithë të mirat në jetë”.

51-vjeçari Perry dhe 29-vjeçarja Hurwitz, e filluan lidhjen romantike në vitin 2018, dhe dy vjet më vonë çifti e bëri publik lajmin se janë fejuar.

“Kam vendosur të fejohem. Fatmirësisht jam në lidhje me gruan më të mirë në gjithë planetin”, kishte deklaruar atëkohë Perry, duke e bërë të ditur lajmin se i ka propozuar martesë të dashurës së tij.

Pak kohë para fejesës së çiftit, filluan të qarkullojnë fjalët se ata janë ndarë, në maj të vitit të kaluar. Sipas këtyre raportimeve, besohej se ata ishin ndarë miqësisht. Megjithëse kjo nuk u konfirmua asnjëherë, të gjithë miqtë e Perryt përfshirë këtu edhe fansat e tij, u gëzuan tej mase me lajmin se më në fund e ka gjetur partneren e jetës me të cilën do të martohej së shpejti.

“Rrethi i tij i ngushtë i shoqërisë për një kohë të gjatë dëshironin ta shihnin të rehatuar dhe të martuar, veçanërisht Courteney Cox, dhe ata shpresonin që lidhja mes aktorit dhe Mollyt të funksiononte”, citohet të ketë thënë një burim i afërt me aktorin.

Matthew Perry dhe Molly Hurwitz e bënë publike romancën e tyre në dhjetor të vitit 2019, kur mediat e zbuluan se ata kishin një kohë që ishin në lidhje.

Dhe pavarësisht faktit se dyshja kishte qëndruar larg vëmendjes së publikut, Hurwitz, vitin e kaluar e kishte shfrytëzuar rrjetin social Instagram për t’ia uruar aktorit Ditën e të Dashuruarve.