Showbiz

Filmi i ri i aktorit Mark Wahlberg, “Infinite” lansohet së shpejti në “Paramount Plus”

Foto: AP/Associated Press

Aktori Mark Wahlberg i cili shquhet për rolet në filma të suksesshëm aksion, e portretizon një person të diagnostikuar me skizofreni në filmin  të tij të ardhshëm, “Infinite”.

Filmi ishte menduar të lansohet në gusht të vitit 2020, por disa herë pësoi ndryshim të datës së publikimit, për shkak të situatës së fundit me pandeminë. 

Studioja “Paramount Pictures” në fillim të muajin maj e konfirmoi lajmin se lansimi i këtij projekti nëpër kinema është anuluar, dhe tani “Infinite” do të jetë në dispozicionin e publikut vetëm përmes platformës digjitale “Paramount Plus”, duke filluar nga 10 qershori.

Filmi i zhanrit aksion fokusohet në kryepersonazhin, Evan McCauley, i cili mëson se halucinacionet e tij të çuditshme janë në fakt vizione nga jetët e mëparshme. Ai është një person i veçantë i cili ka jetuar dhe vdekur me mijëra herë, por nuk i kujtohet një gjë e tillë. 

Në rolet kryesore të këtij projekti vijnë aktorët: Mark Wahlberg, Chiwetel Ejiofor, Sophie Cookson, Jason Mantzoukas, Rupert Friend, Liz Carr, Toby Jones dhe Dylan O’Brien. Kurse regjinë e tij e ka bërë fituesi i shpërblimit “Oscar”, Antoine Fuqua.  

“Infinite” parashihet ta tërheq një numër të madh të publikut marrë parasysh përfshirjen e aktorit protagonist, Mark Wahlberg, filmat e së cilit janë ndër më të shikuarit në Hollywood.