Showbiz

Rita Ora ndryshon stilin e flokëve, flitet për një lidhje të re dashurie

Rita Ora, ka shije të paparë për stil dhe kurrë nuk frikësohet ta shpërfaqë. Të enjten, këngëtarja britanike me prejardhje kosovare është shfaqur me një kostum me vlerë prej 12 mijë e 440 dollarësh nga marka “Chanel”, në ngjarjen për nder të 100-vjetorit të parfumit ikonik francez “No.5”.

Ylli i muzikës pop u shfaq e veshur në të zeza, duke u kombinuar me një palë taka po ashtu të zeza dhe disa qafore nga marka “Chanel”.

Flokët me kaçurrela të lëshuara dhe buzët e kuqe e zbukuruan pamjen e saj. Këngëtarja mbante në dorë një çantë bardhezi teksa u shfaq në tepihun e kuq pak para se të arrinte në vendin e ngjarjes.

Kjo paraqitje e Ritës vjen në një kohë kur kanë dalë thashethemet se ajo është në lidhje me regjisorin Taika Waititi, teksa po xhiron emisionin “The Voice” në Sidnei.

Sipas “The Sun”, Rita dhe Taikia nuk e kanë fshehur se janë së bashku në shoqërinë e miqve të tyre të famshëm dhe lidhja e tyre mund të jetë goxha serioze.

“Ata janë së bashku që nga marsi, por nuk kanë treguar. Sidoqoftë, të gjithë miqtë e dinë për këtë lidhje. Po shkojnë shumë mirë bashkë”, ka thënë një nga burimet.

Javën e kaluar ylli i këngës “Hot Right Now” e kishte publikuar një foto ku shihet Taika me krahët e tij përreth saj, ku të dy ishin veshur nga marka “Gucci”.

Kjo fotografi nxiti thashetheme, pasi fansat kanë thënë se ata mund të jenë çift dhe kanë thënë se Rita mund të luajë në njërin prej filmave të tij.

Të martën, ylli i popit u përball me pyetje rreth jetës së saj private gjatë një paraqitjeje në emisionin “The Kyle and Jackie O Show”.

Në fund të intervistës, prezantuesi Kyle e pyeti Ritën: “E di që nuk ke dëshirë të flasësh shumë për këto gjëra, por a je në gjendje ta fusësh fshehurazi të dashurin në shtëpi apo e ke të vështirë?”.

Pas një kohe të gjatë, këngëtarja e hitit “Body On Me” u përgjigj me kujdes: “Mendoj se tani jam përqendruar që vetëm të ushtroj sa më shumë dhe të dukem mirë”.

“Fantastike. Mund të lexoj mes rreshtash”, ia ka kthyer prezantuesi me shaka.