Showbiz

Jennifer Lopez kalon kohë me Ben Affleckun pas ndarjes nga Alex Rodriguez

Jennifer Lopez ka kaluar kohë së bashku me ish-të fejuarin e saj Ben Affleck, në Los Angjelos, pas ndarjes nga ish-i fejuari i fundit, Alex Rodriguez.

Siç raporton Page Six nga burime të saj, Affleck është parë disa herë duke shkuar në shtëpinë e J.Lo. brenda një dite.

Fituesi i çmimit “Oscar” është kapur duke lënë shtëpinë e Lopezit, me veturën e cila i takon këngëtares dhe aktores së famshme.

Ndonëse, nuk janë parë bashkë, burimi ka thënë se sigurimi i Lopezit e kishte marrë me veturë Affleck-un dhe e kishte dërguar në shtëpinë e saj, ku edhe ka kaluar pak kohë.

Affleck raportohet se e ka vizituar Lopezin tri herë që kur kjo e fundit është rikthyer në Los Angjelos, pasi kishte qëndruar për një kohë në Republikën Dominikane për xhirimin e filmit më të ri “Shotgun Wedding”.

Pavarësisht kësaj, thuhet se ish-çifti i famshëm janë vetëm shokë dhe se kanë qenë të tillë që kur janë ndarë.

Ata ishin fejuar në vitin 2002 dhe e kishin caktuar martesën për vitin 2003 mirëpo, në fillim të janarit të vitit 2004, ata i kishin dhënë fund lidhjes së tyre.