Showbiz

Christopher Nolan refuzon të bashkëpunojë me Netflixin

Foto: AP/Associated Press

Regjisori i shpërblyer me “Oscar”, Christopher Nolan, nuk do të angazhohet në krijimin e filmave origjinal të platformës digjitale Netflix, për shkak të limitimeve më distribuimin e tyre globalisht.

Kështu ka bërë të ditur Scott Stuber, drejtori i sektorit të filmave origjinal të platformës së famshme, në një intervistë të fundit.

I pyetur nëse ekzistojnë ende regjisorë të cilët hezitojnë të bashkëpunojnë me Netflixin, në krijimin e filmave të ri, Stuber tha: “Mendoj se ekzistojnë aspekte të shpërndarjes globale nëpër kinema që janë ende të rëndësishme për disa regjisorë. Christopher Nolan dhe unë kemi folur mjaft rreth kësaj teme, dhe jam i vetëdijshëm se shfaqja e filmave të tij nëpër kinema vazhdon të jetë diçka që ai e dëshiron thellësisht. Prandaj mendoj se Nolan heziton të bashkëpunojë me ne”.

Në të kaluarën disa filma origjinal të kësaj platformë janë shfaqur nëpër kinema, para se të transmetoheshin në Netflix, të tillë si “Marriage Story” nga Noah Baumbach dhe “The Irishman” nga Martin Scorsese, por këto marrëveshje vlejnë vetëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jo për tregun global.

Përveç Nolanit, i cili shquhet për filma të suksesshëm si “Dunkirk”, “The Dark Knight” dhe “Tenet”, Stuber foli për regjisorë të tjerë të cilët janë të lumtur të punojnë me Netflixin. Në mesin e tyre janë ikonat e kinematografisë Martin Scorsese, Noah Baumbach, David Fincher, Spike Lee dhe shumë të tjerë të cilët tashmë kanë arritur marrëveshje të kënaqshme me këtë platformë digjitale.

Së fundmi filmbërësi i njohur hollywoodian, Christopher Nolan, e ka kritikuar ashpër vendimin e studios “Warner Bros”, për t’i publikuar të gjithë filmat e tyre të planifikuar për vitin 2021, në platformën digjitale HBO Max, në të njëjtën kohë me lansimin e tyre nëpër kinema. Ai madje e pati sulmuar direkt këtë platformë duke e cilësuar atë si më të keqen që ekziston në treg.

Sidoqoftë në fund të muajit mars, HBO Max e konfirmoi lajmin se “Tenet”, që është filmi i fundit i Nolanit me buxhet të lartë i lansuar në ekran të madh në kohë pandemie, do të fillojë së transmetuari në këtë platformë nga 1 maji.